Një ngjarje që ngjan me një film horror dhe me detaje ende të paqarta. Ky është përshkrimi që del nga hetimet që po zhvillohen mbi sulmin me thikë ndaj kryebashkiakes së qytetit Herdecke, Iris Stalzer, në landin e Nordrhein-Westfalenit në Gjermani.
Zbulimi tronditës/ E torturuar për orë të tëra në bodrum nga vajza e adoptuar, çfarë i ndodhi kryebashkiakes në Gjermani

Në orët para thirrjes për ndihmë dhe mbërritjes së ambulancës, 57-vjeçarja dyshohet se është torturuar për orë të tëra në bodrumin e shtëpisë së saj nga vajza e adoptuar, 17-vjeçare.
Rindërtimi i ngjarjes nga policia është konfirmuar nga dëshmia e vetë viktimës, e cila ka rifituar vetëdijen dhe ka akuzuar vajzën.
Sipas burimeve të policisë të cituara nga gazeta Bild, vajza e adoptuar e ka sulmuar nënën në bodrum duke tentuar t’i djegë flokët me spraj dhe çakmak, dhe e ka goditur disa herë me dy thika.
Mbi trembëdhjetë goditje me thikë janë konstatuar në trupin dhe barkun e gruas. Gjithashtu, dëmtimet në kafkë tregojnë se koka e saj është përplasur me një objekt.
Vajza dyshohet se ka vepruar për hakmarrje. Më pas, duket se është penduar, siç tregon përpjekja për të pastruar gjakun, dhe telefonata për ndihmë në orën 12:40.