“Zbrazi pistoletën ndaj gjyqtarit, pastaj ia dorëzoi policit!” – Zbardhen momentet e tmerrit në sallën e Apelit

Gazetari Xhevahir Zhabina ka zbardhur detaje tronditëse nga ngjarja e rëndë në Gjykatën e Apelit, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy persona të tjerë.

Sipas tij, autori i krimit, Elvis Shkambi, ka zbrazur pistoletën në drejtim të gjyqtarit dhe palës kundërshtare, menjëherë pasi ka dëgjuar vendimin që nuk ishte në favor të familjes së tij. Pas ngjarjes, ai ka dorëzuar armën tek polici i gjykatës dhe ka pritur mbërritjen e forcave të rendit.

Sipas Zhabinës, konflikti kishte nisur për pronësinë e një godine trekatëshe në Shkodër, ku prej vitit 1993 jetojnë rreth 30 familje. Të dyja palët, si banorët ashtu edhe familja Shkambi, pretendonin pronësinë mbi godinën, duke sjellë një betejë të gjatë ligjore.

Në shkallën e parë, familja Shkambi kishte fituar, por vendimi u kundërshtua në Apel, ku gjyqtari Astrit Kalaja vendosi në favor të banorëve. Pikërisht në atë moment, 30-vjeçari Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të gjyqtarit dhe palës kundërshtare.

Pasi ka mbaruar fishekët, ai ka dorëzuar armën dhe është vetëdorëzuar.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se gjyqtari është transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve. Dy personat e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, është arrestuar edhe polici që bënte roje në hyrje të gjykatës, pasi autori ka arritur të hyjë i armatosur pa kaluar kontrollin e detektorit të metaleve.

“Hetimet do të sqarojnë nëse ka pasur neglizhencë apo shkelje të qëllimshme,” tha gazetari Zhabina, duke shtuar se autori ka deklaruar në polici se ka vepruar “kundër një padrejtësie”.

More posts