Një krim i rëndë ka tronditur qytetin e qetë të Ballymena, në Irlandën e Veriut, ku një grua e re – Sarah Montgomery, vetëm 27 vjeçe, nënë e dy fëmijëve dhe shtatzënë, u gjet e pajetë në banesën e saj në Elmfield Walk, të dielën pasdite.
Vrasje e dyshuar në familje: Gruaja shtatzënë, nënë e dy fëmijëve, gjendet pa jetë

Policia u njoftua për një grua pa ndjenja me plagë serioze, ndërsa ekipet mjekësore që mbërritën menjëherë në vendngjarje bënë përpjekje për ta shpëtuar, por fatkeqësisht Sarah u shpall e vdekur në vend.
Hetimet janë ende në fazat fillestare, por dyshimet e para të autoriteteve flasin për një vrasje të mundshme, ndërsa komuniteti është zhytur në trishtim dhe ankth.
“Familja e Sarah është thellësisht e shkatërruar nga kjo humbje tragjike. Ata po mbështeten nga oficerë të specializuar në trajtimin e rasteve të rënda”, – u shpreh detektivi Tom Phillips.
Shefja e Policisë për Rajonin Verior, Yvonne McManus, e cilësoi këtë si një ngjarje tronditëse që ka lënë pasoja të thella emocionale në komunitet, duke theksuar nevojën emergjente për të luftuar dhunën ndaj grave dhe vajzave.
“Asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikë në shtëpinë e saj. Kjo është një humbje e tmerrshme dhe një kujtesë e dhimbshme për rrezikun që përballojnë shumë gra çdo ditë”, – tha ajo.
Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që mund të kenë parë apo dëgjuar diçka të dyshimtë në zonën e Elmfield Walk, të kontaktojnë menjëherë autoritetet për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie.