VIDEO/ Prindërit e tërheqin zvarrë vajzën e vogël në mes të rrugës në Korçë – reagime të forta pas pamjeve tronditëse

Një video e publikuar së fundmi në rrjete sociale ka shkaktuar indinjatë të madhe në opinionin publik. Në pamjet shqetësuese, shihet një vajzë e vogël që tërhiqet zvarrë në mes të rrugës nga dy të rritur, të cilët pretendohet të jenë prindërit e saj. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Korçës, dhe dëshmitarët kanë raportuar se ajo ishte parë më parë duke qarë brenda një qendre tregtare.

Sipas videos dhe dëshmisë së qytetarit që e ka filmuar skenën, babai i vajzës shihet duke e tërhequr atë zvarrë për flokësh, ndërsa nëna nga krahu, duke e detyruar të ecë me forcë, teksa ajo bërtet dhe përpiqet të rezistojë. Pamjet e forta kanë ngjallur zemërim dhe reagime të shumta në rrjet, me shumë përdorues që kërkojnë identifikimin dhe ndëshkimin e të rriturve të përfshirë.

Dëshmitari që ka dërguar videon ka deklaruar se skena ka zgjatur për rreth 15 minuta, nga momenti kur familja doli nga qendra tregtare deri tek pazari i qytetit. “Ishte e dhimbshme për t’u parë. Vajza vetëm qante e bërtiste, dhe askush nuk ndërhyu. Më shumë mundësi ka dashur të blejë ndonjë gjë dhe nuk ja kanë marrë, prandaj ka shpërthyer në lot. Por kjo nuk justifikon aspak mënyrën se si u trajtua”, tha ai.

Reagimet kanë qenë të menjëhershme edhe nga komuniteti lokal dhe përdorues të rrjeteve sociale, të cilët kanë dënuar aktin si të papranueshëm dhe kanë bërë thirrje për ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve të rendit dhe të mbrojtjes së fëmijëve.

Aktualisht, identiteti i prindërve nuk është bërë ende i ditur, ndërsa nuk ka ende një reagim zyrtar nga autoritetet policore apo shërbimet sociale. Megjithatë, presioni publik mund të çojë në një hetim të shpejtë dhe të plotë të rastit, për të garantuar mbrojtjen e vajzës dhe ndëshkimin e çdo forme abuzimi.

Ky incident shtron sërish nevojën për ndërgjegjësim mbi të drejtat e fëmijëve dhe raportimin e çdo akti të dhunshëm ndaj tyre. Opinioni publik dhe institucionet duhet të bashkëpunojnë për të mos lejuar që raste të tilla të kalojnë në heshtje.

More posts