Vëllai i saj humbi jetën në avionin Air India, por ajo çfarë zbuluan pas kthimit të trupit është shokuese!

Një grua britanike ka rrëfyer dhimbjen e dyfishtë që po përjeton familja e saj, pasi vëllai i saj humbi jetën në përplasjen tragjike të avionit të Air India më 12 qershor — dhe më pas familjes iu kthye një trup i gabuar.

Arwen Greenlaw tha për BBC Newsnight se familja e saj ndjen se është mohuar dinjiteti dhe mbyllja që kërkonin për vëllain e saj, Fiongal Greenlaw-Meek, 39 vjeç, i cili udhëtonte së bashku me bashkëshortin e tij Jamie, 45 vjeç, në bordin e avionit që u rrëzua vetëm pak minuta pas nisjes nga Ahmedabad drejt Londrës.

Në arkivol ishin mbetjet e dy personave”

Sipas saj, kur trupi u kthye në Mbretërinë e Bashkuar, testet e ADN-së zbuluan se mbetjet nuk ishin të vëllait të saj – madje ishin mbetje të dy personave të ndryshëm. ADN-ja u konfirmua përmes kufjeve të tij personale, të cilat për fat kishin mbetur në shtëpi.

Dikush ka gabuar në etiketimin e mbetjeve. Kjo ka shtuar traumën për ne,” tha Arwen, duke shtuar se nëse vëllai i saj është kremuar gabimisht si dikush tjetër, ata kanë të drejtë ta dinë për ta përballuar realitetin.

Kaos dhe mungesë protokollesh në vendin e ngjarjes

Familja Greenlaw thotë se përballja me procesin e identifikimit në Indi ishte kaotike. Nëna e tyre fluturoi drejt Indisë menjëherë pas aksidentit dhe u përfshi në procesin e identifikimit. “Sipas fjalëve të saj, ishte një skenë kaotike”, tha Arwen. “As vendi nuk ishte mbyllur për 48 orë dhe mungonin protokollet forenzike.”

Aksidenti që mori të paktën 270 jetë

Avioni Boeing 787-8 Dreamliner mbante 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, përfshirë 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe një kanadez. Ai u rrëzua pranë aeroportit në Ahmedabad, duke shkaktuar edhe viktima në zonat përreth, përfshirë studentë të mjekësisë që qëndronin aty.

Një raport paraprak prej 15 faqesh tregon se furnizimi me karburant në motorët e avionit u ndërpre sekonda pas ngritjes, por ende nuk dihet pse ndodhi. Një pilot dëgjohet në regjistrimin e kabinës duke pyetur: “Pse e ndërpreve?”, dhe përgjigjja ishte: “Nuk e bëra unë.”

Një histori dashurie që përfundoi tragjikisht

Fiongal dhe Jamie ishin themeluesit e “The Wellness Foundry” në Kent dhe ishin të dashuruar prej vitesh. Ata kishin planifikuar të merrnin pjesë në aktivitetet e Ramsgate Pride vetëm pak ditë pas kthimit nga India.

“Ata ishin dy gjysma të një shpirti,” tha Arwen me lot në sy. “Jetuan së bashku, u martuan, dhe vdiqën së bashku.”

Reagimi zyrtar

Zyra e Jashtme britanike deklaroi se po vazhdon të mbështesë familjet e prekura përmes punonjësve të dedikuar të çështjes, ndërsa konfirmimi formal i trupave është përgjegjësi e autoriteteve indiane.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Indisë tha se “të gjitha mbetjet njerëzore janë trajtuar me profesionalizëm maksimal dhe me respekt të plotë për dinjitetin e të ndjerëve.”

Por rastet si ai i Fiongalit dhe i një tjetër çifti viktimash, Ashok dhe Shobhana Patel, që gjithashtu morën arkivole me mbetje të përziera, kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e viktimave pas tragjedisë

More posts