Veliaj kundër Presidentit, padit në Kushtetuese edhe dekretin për datën e zgjedhjeve në Tiranë: Nëse gjykata nuk e…

Erjon Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në burg, vendimi u dha nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë që hodhi poshtë rekursin për ndryshimin e masës arrest në burg.

Kolegji penal shpalli të pabazuar kërkesën e avokatëve të Veliaj, i cili në rekurs dhe në qëndrimin e shtuar mbasi u shkarkua i tha gjykatës së lartë se nuk e mbante më detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Kjo rrethanë edhe të tjera si mbyllja e hetimeve, mungesa e rrezikshmërisë, nuk u pranuan nga Gjykata e Lartë.

Menjëherë pas këtij vendimi që refuzoi garancinë pasurore , mbrojtësit njoftuan se  kishin bërë një tjetër shtesë ankimi  në gjykatën kushtetuese tek e cila kërkojnë zgjidhje për shkarkimin e kryebashkiakut.

Duke e zhvendosur fushën e betejës nga kërkimi i lirisë dhe refuzimi i shkarkimit, tek dekreti i presidentit që caktoi datën 9 nëntor si ditë zgjedhjesh për kryebashkiakun e ri, avokatët kundërshtojnë presidentin Bajram Begaj.

Kërkesa është pezullimi i pjesshëm i dekretit pra nëse nëntë nëntori do të këtë zgjedhje të pjesshme për gjashtë bashki, në Tiranë nuk duhet të ndodhin sipas avokatëve të Erjon Veliaj.

Zoti Veliaj thuhet në kërkesë nuk po e kundërshton këtë dekret si votues  dhe as si një formacion   politik  i prekur nga data e zgjedhjeve. Por si një i zgjedhur vendor që gëzon garanci kushtetuese.

Në kërkesën e shtuar avokatët e ish kryebashkiakut i thonë gjykatës kushtetuese se  ka rrezik që nëse zbatohet dekreti mund të prodhojë pasoja të rënda të pakthyeshme  dhe me ndikim që mund të prekin jo vetëm pozitën e tij si i zgjedhur vendor , por edhe interesat e qytetarëve që votuan në zgjedhjet e fundit për një mandat 4 vjeçar.

Dhe ndërsa data në gjykatën kushtetuese nuk është caktuar ende, në datën 10 tetor të akuzuarit përballen me gjyqtarin paraprak në gjykatën antikorrupsion. Mes tyre ish kryebashkiaku, bashkëshortja, një ish deputete dhe biznesmenë.

Mundësitë janë që edhe me këtë vendim të gjykatës së lartë, ish kryebashkiaku të trokasë sërish në gjykatën kushtetuese duke e cilësuar si jo kushtetues lënien në burg.

More posts