Vajza e Agron Llakajt rrëfen dhimbjen e madhe që u ka lënë pas: Babi i çon çdo ditë lule! Ajo ishte boshti i familjes

Alkida Llakaj, vajza e aktorit të njohur të humorit Agron Llakaj, ka ndarë për herë të parë emocionet dhe dhimbjen që familja e saj ka përjetuar që prej humbjes së nënës së saj, e cila ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë.

E ftuar në një intervistë, Alkida foli për sfidat e fundit dhe për përkushtimin prekës të babait të saj, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes së tij.

Sa vite ka im atë në skenë, unë i kam në jetë. Pothuajse 40 vjet dhe kjo është dalja ime e parë televizive. Isha shumë e dyzuar sepse emocionalisht nuk isha e fortë për të folur për babin, sepse e kam gjithmonë të lidhur me mamin. Edhe në telefonin tim, ata janë të pandashëm. Ashtu dua t’i mbaj gjithmonë pranë zemrës sime,” tha Alkida.

Ajo zbuloi se familja ka kaluar një periudhë të vështirë që nga korriku i tre viteve më parë, kur nëna e saj u diagnostikua me një sëmundje fatale.

“Janë tre vite që për ne kanë qenë një sfidë. Kemi qenë brenda një humnere, kemi humbur boshtin e familjes,”  tha Alkida me lot në sy.

Por ajo që ka prekur më shumë publikun është përkushtimi i përditshëm i Agron Llakajt për bashkëshorten e tij të ndjerë.

Postimet e babit nuk janë të hiperbolizuara. Ai e viziton çdo ditë vendin ku prehet mami. Kur është jashtë Tiranës më thotë ‘Alkida, shko tek mami’. Sigurisht që shkoj edhe pa ma thënë. Kam njohur një dimension të jashtëzakonshëm, human, të tij,” shtoi ajo në Top Story.

Kujtojmë që Agron Llakaj humbi bashkëshorten e tij, Konstandinën, rreth një vit më parë, dhe ndonëse njihet për rolet humoristike dhe optimizmin e tij në ekran, duket se dhimbja ka qenë e thellë, dhe këtë e kanë treguar më së miri postimet e tij të dedikuara ndaj saj në rrjete sociale.

More posts