U nisën për në Angli/ 13 emigrantë gjenden të ngrirë brenda një kamioni frigorifer në Francë!

Një ngjarje dramatike ka ndodhur në Francën veriore, ku 13 migrantë të ngrirë, në rrugë për në Mbretërinë e Bashkuar, u shpëtuan pasi mbetën të bllokuar brenda një kamioni frigoriferik që udhëtonte drejt Londrës.

Incidenti ndodhi të shtunën në zonën e pushimit Saint-Hilaire-Cottes, përgjatë autostradës A26, rreth 75 kilometra nga Calais. Migrantët, kryesisht nga Eritrea dhe shumica të mitur, sipas autoriteteve, kishin hapur me forcë derën e pasme të kamionit ndërsa shoferi po flinte dhe ishin futur brenda për t’u fshehur.

Kamioni po transportonte domate qershi nga Maroku drejt Londrës dhe shoferi kishte ndaluar për të pushuar pas një udhëtimi të gjatë. Temperaturat brenda rimorkios frigoriferike kishin arritur deri në 8°C, duke rrezikuar seriozisht jetën e migrantëve.

Rreth orës 13:00, një shofer tjetër kamioni dëgjoi zhurma dhe trokitje që vinin nga brenda dhe menjëherë njoftoi shërbimet emergjente. Ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit dhe xhandarët mbërritën në vendngjarje dhe evakuuan personat, duke i dërguar në një spital të përkohshëm fushor.

Katër prej tyre, përfshirë një vajzë të mitur, u transportuan më pas në spitale në Arras dhe Saint-Omer me shenja hipotermie dhe probleme të tjera shëndetësore. Të rriturit u morën në pyetje nga policia, ndërsa të miturit u vendosën nën kujdesin e shërbimeve sociale franceze dhe një organizate humanitare për mbrojtjen e fëmijëve migrantë.

Ngjarja sjell në kujtesë tragjeditë e mëparshme me migrantë të fshehur në kamionë frigoriferikë. Në vitin 2019, 39 vietnamezë u gjetën të vdekur në një kamion në Essex, ndërsa në vitin 2000, 58 kinezë humbën jetën në një kamion holandez në Dover. Pavarësisht masave të rrepta dhe përdorimit të mjeteve të vogla detare për të kaluar Kanalin Anglez, kamionët mbeten një mjet i përdorur nga rrjetet e trafikimit të njerëzve, shpesh me pasoja fatale.

More posts