U mbytën në lumin Shkumbin, përcillen për në banesën e fundit dy vëllezërit e mitur! Të afërmit: Jemi të shokuar

U përcollën sot në orën 16:00, për në banesën e fundit dy vëllezërit e mitur që u mbytën pasditen e së premtes në lumin Shkumbin në Labinot-Fushë të Elbasanit. Miq dhe të afërm të familjes janë mbledhur për t’u dhënë lamtumirën e fundit.

Të pranishëm në ceremoninë mortore, përveç të afërmve, janë edhe njerëz të tjerë që ndonëse nuk kanë lidhje gjaku, thonë se u shokuan nga ngjarja.

“E morëm vesh dhe erdhëm. Nuk i njohim. Erdhëm për ngjarjen, shumë e rëndë. Shumë keq ndihemi. Kanë ardhur shumë”, u shpreh një qytetar.

Një tjetër thotë se ka punuar me të ati e dy djemve.

“Meqenëse kemi punuar me babain e fëmijëve. Është njeri shumë i mirë, merret me ndërtim. Na vjen keq, moshë e re. Kanë qenë të rregullt, ai vetë mundohej me sakrifica për t’i rritur e edukuar, për të bërë më të mirën për ta.”, u shpreh ai.

Një afërme thotë: “Jemi fis. Ishin fëmijë të mirë, të mbarë. Jemi të tronditur shumë”.

Dy djemtë, 7 dhe 9-vjeç, po ruanin bagëtitë së bashku me nënën e tyre, kur në një moment janë shkëputur për t’u larë, por i ka marrë rrjedha e lumit. Teksa nëna e tyre kërkonte ndihmë për t’i shpëtuar, banorë të zonës u përpoqën, por më kot. Trupat e pajetë u gjetën disa metra poshtë vendit ku u futën të laheshin.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More posts