U abuzova për 7 vite me radhë’! Gazetari Tozaj trondit me rrëfimin

Gazetari Elton Tozaj ka tronditur publikun me rrëfimin e tij rrëqethës në emisionin “Living Day” në Vizion Plus, të moderuar nga Brunilda Lahe.

Për herë të parë, në praninë e nënës së tij, ai foli hapur për një plagë të rëndë që ka mbajtur të fshehur për dekada: abuzimin që ka përjetuar për shtatë vite me radhë, që kur ishte ende fëmijë, nga një “i fortë i lagjes”, me të cilin jetonin në të njëjtin pallat.

“Jashtë mureve të shtëpisë nuk kam qenë i lumtur. Kam qenë fëmijë i shoqërueshëm, i dashur, dhe kjo bëri që të bëhesha viktimë e abuzimit për 7 vite rresht. Gjeja mbrojtje vetëm te mami, te babi, te vëllai, te kushërira. Nuk e dija çfarë po ndodhte me mua, nuk e kisha idenë. Sot e kësaj dite ka net që nuk fle, sepse më rikthehen në mendje ato skena”, rrëfeu ai mes emocionesh.

Tozaj tregoi se për shumë vite jetoi me frikë, duke menduar se ishte faji i tij dhe se kishte kryer “krimin më të madh”.

Për shkak të dhimbjes, shpesh u përball me depresion, u përfshi në konsumim alkooli dhe lëndësh narkotike, dhe jo pak herë i shkoi mendja t’i jepte fund jetës.

“Nëse ka një njeri që më ka shpëtuar, edhe kur kam tentuar realisht t’i jap fund jetës, ajo është mamaja ime. Jam krenar për të dhe nuk e lë kurrë vetëm”, tha ai.

Gazetari tregoi gjithashtu se personi që e kishte abuzuar ka ndërruar jetë në vitin 1997.

“Mbase ishte Zoti që e hoqi”, u shpreh ai, duke kujtuar dhunën psikologjike dhe presionin që kishte përjetuar çdo ditë, pasi abuzuesi jetonte vetëm dy kate më poshtë se familja e tij.

Me një rrëfim të ndierë, Eltoni i kërkoi falje nënës së tij për gjithë dhimbjen dhe sakrificat që ajo ka kaluar pranë tij, duke e cilësuar si “grua të hekurt” që e ka mbajtur gjallë në momentet më të errëta.

Ky rrëfim dramatik i Elton Tozajt ka prekur thellë publikun dhe ka rikthyer vëmendjen mbi plagët e rënda të abuzimeve që shpesh mbeten të fshehura për vite të tëra, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e viktimave. 

More posts