Tragjedi në Itali: Policia qëllon 41-vjeçarin shqiptar me armë elektrike, humb jetën në vend – zbardhen detajet

Një 41-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Sant’Olcese, pranë Gjenovës, pasi u qëllua disa herë me armë elektrike nga karabinierët italianë. Viktima është identifikuar si Elton Bani, punëtor ndërtimi, i cili sipas autoriteteve pësoi arrest kardiak pas përdorimit të armës.

Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e 17 gushtit, kur fqinjët alarmuan policinë duke raportuar se shqiptari po hidhte objekte nga dritaret dhe karrige në hyrje të ndërtesës. Kur karabinierët mbërritën në vendngjarje, Bani nuk pranoi të qetësohej dhe tentoi të hipte në makinën e tij.

Sipas raportimeve të mediave italiane, policët përdorën armën elektrike tre herë: hera e parë e gërvishti, e dyta e goditi drejtpërdrejt dhe e treta e rrëzoi përtokë. Menjëherë më pas ai pësoi arrest kardiak dhe vdiq.

Dy oficerët e përfshirë në ndërhyrje janë tashmë nën hetim, ndërsa prokuroria po analizon të gjithë rrethanat për të përcaktuar nëse veprimet e tyre ishin të justifikuara.

Elton Bani kishte qenë më parë i njohur për policinë italiane, pasi kishte vuajtur një muaj burg për falsifikim dokumentesh.

Ky është rasti i dytë brenda dy ditësh në Itali ku përdorimi i armës elektrike nga policia rezulton fatal, duke hapur një debat të gjerë mbi përdorimin e “taser”-it si mjet neutralizimi.

More posts