Më 15 gusht, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidenti rus, Vladimir Putin, u takuan në Alaska. Takimi zgjati rreth tre orë, gjatë të cilit të dy udhëheqësit diskutuan krizën në Ukrainë.
Takimi Trump-Putin në Alaskë, as marrëveshje dhe as armëpushim në Ukrainë

Të dy presidentët e përshkruan takimin si “konstruktiv” dhe “produktiv”, por nuk u arrit asnjë marrëveshje. Duke folur në anglisht, Putin e ftoi Trump në Moskë. Ambasadorët e BE-së do të takohen këtë mëngjes në orën 9:30 për të diskutuar rezultatin e samitit dhe për të shqyrtuar marrëdhëniet tregtare BE-SHBA dhe çështjen e tarifave.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e vlerësoi me notën 10 takimin e tij të shumëpritur me presidentin rus Vladimir Putin dhe deklaroi se është bërë “përparim shumë i mirë” drejt paqes në Ukrainë. Megjithatë, Trump theksoi se “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje.”
“Ishte një takim shumë i ngrohtë. Putin është një njeri i fortë, shumë i ashpër, por takimi mes dy vendeve të rëndësishme ishte i ngrohtë dhe konstruktiv. Është gjë e mirë kur vendet e mëdha kuptohen me njëra-tjetrën. Mendoj se jemi shumë afër një marrëveshjeje. Por, natyrisht, edhe Ukraina duhet të japë dakordësinë e saj”, u shpreh Trump gjatë intervistës.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se takimi i tij me Presidentin amerikan Donald Trump ishte një hap i vonuar, por i domosdoshëm për t’i dhënë fund konfrontimit mes dy vendeve dhe për të hapur rrugën drejt dialogut dhe paqes, veçanërisht në lidhje me krizën në Ukrainë.