Një studim i publikuar në European Heart Journal ka zbuluar se edhe rastet e lehta të infektimit me Covid-19 mund të shkaktojnë ngurtësim të arterieve, një proces që zakonisht ndodh me kalimin e moshës dhe që lidhet drejtpërdrejt me rrezikun më të lartë për infarkt në zemër, goditje në tru dhe sëmundje kardiovaskulare.
Studim tronditës: Covid-i mund t’i ketë plakur enët e gjakut deri në 5 vite – gratë preken më rëndë se burrat! (Detajet)

Sipas studiuesve, ky fenomen i quajtur “plakje e hershme vaskulare” mund të bëjë që enët e gjakut të jenë disa vite më të vjetra se mosha reale e pacientit. Në disa raste, ngurtësimi i arterieve është ekuivalent me plakje 5-vjeçare, duke e rritur ndjeshëm rrezikun shëndetësor, sidomos tek gratë.
📊 2,390 pacientë nga 16 vende të ndryshme morën pjesë në këtë studim mes viteve 2020-2022, ku u krahasuan persona që nuk ishin prekur kurrë nga Covid me ata që e kishin kaluar sëmundjen në nivele të ndryshme – nga rastet e lehta deri tek ata që kishin përfunduar në terapi intensive.
Rezultatet treguan se të tre grupet e infektuar kishin arterie më të ngurta se personat që nuk e kishin kaluar virusin. Ndërkohë, ata që kishin marrë vaksinën anti-Covid rezultuan me dëmtime më të lehta krahasuar me pacientët e pavaksinuar.
Profesorja Rosa Maria Bruno, drejtuesja e studimit, shpjegoi se gratë u prekën më shumë se burrat, për shkak të reagimit më të fortë imun që mund t’i mbrojë nga infeksioni, por njëkohësisht të shkaktojë dëme më të mëdha në enët e gjakut pas sëmundjes.