Futbolli i Kosovës ka humbur një nga figurat e tij më të respektuara, pasi ditën e sotme ka ndërruar jetë Ejup Mehmeti, i njohur ndryshe nga të gjithë edhe me nofkën “Kapiti”. Lajmi i trishtë ka prekur komunitetin sportiv, ndërsa Mehmeti u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare.
Sporti në zi/ Mbyll sytë përgjithmonë trajneri i njohur shqiptar

Ejup Mehmeti la gjurmë të pashlyeshme në futbollin kosovar, duke shkëlqyer si futbollist gjatë viteve ’70 me klubin e madh të Prishtinës. Ai jo vetëm që ishte një lojtar i talentuar, por më vonë dha një kontribut të çmuar edhe si trajner i kryeqytetasve, duke udhëhequr skuadrën nga pozita e teknikut në vitin 2012.
Vlerësimi për karrierën e tij të gjatë dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndaj sportit në Kosovë u kurorëzua në qershor të vitit 2021, kur Komuna e Prishtinës, përmes Drejtorisë së Sportit, e nderoi Ejup Mehmetin me “Mirënjohje për Vepër Jetësore”. Kjo mirënjohje vlerësoi biografinë e tij të pasur në sport dhe impaktin e tij të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën.
Ndarja nga jeta e Ejup Mehmetit “Kapiti” shënon një humbje të madhe për futbollin kosovar, duke lënë pas një boshllëk në zemrat e tifozëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe vlerësuan kontributin e tij të çmuar ndër vite.
