Spitalet franceze në gatishmëri për një “angazhim të madh ushtarak” deri në vitin 2026

Qeveria franceze ka urdhëruar të gjitha spitalet në vend që të jenë të përgatitura për një situatë të jashtëzakonshme ushtarake deri në mars të vitit 2026. Ky plan i ri është konfirmuar nga Ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, pas një publikimi fillestar të bërë nga revista satirike Le Canard Enchaîné.

Sipas udhëzimit, spitalet duhet të kenë kapacitet për trajtimin e 10 deri në 15 mijë të plagosurve – ushtarë francezë apo të huaj – gjatë një periudhe prej 180 ditësh. Përveç kësaj, është kërkuar ngritja e qendrave të përkohshme pranë porteve dhe aeroporteve për transport të shpejtë të trupave.

Vautrin theksoi se ky është një plan masash parandaluese, duke e krahasuar me mangësitë e zbuluara gjatë pandemisë Covid-19: “Le të mos harrojmë se gjatë pandemisë vendi ishte i papërgatitur,” tha ajo.

Ky vendim vjen vetëm pak muaj pasi qeveria franceze publikoi një manual me 63 faqe për mbrojtjen e qytetarëve në raste konflikti të armatosur, fatkeqësish natyrore apo aksidenteve industriale. Manuali përfshin edhe këshilla për furnizime bazë dhe veprime gjatë një sulmi bërthamor.

Ndërkohë, Franca – njësoj si Britania – ka rritur ndjeshëm buxhetin e mbrojtjes, duke e çuar në 3–3.5% të PBB-së, nga 2% që ishte më parë.

More posts