“SPAK godet grup të strukturuar kriminal: Zbulohet vrasja me pagesë dhe tjetërsimi i pronave në Lalz”

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar informacion zyrtar mbi aksionin e sotëm në Gjirin e Lalzit, ku është goditur një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në vrasje me pagesë dhe tjetërsim të pronave.

Me këtë operacion, SPAK ka zbardhur vrasjen e Edmir Bregut, mik i ngushtë i Edmond Çekiçit. Porositës i atentatit dyshohet të jetë Astrit Avdylaj, i cili e kishte porositur vrasjen për hakmarrje lidhur me tentativën për të ekzekutuar nipin e tij.

Në total, u lëshuan 9 urdhër-arreste, ku 5 janë ekzekutuar, ndërsa 4 persona janë ende në kërkim, përfshirë edhe Avdylajn, i cili ndodhet tashmë në burg për operacionin “Revanshi”.

Hetimet intensive, të zhvilluara në bashkëpunim me Europol, Eurojust dhe autoritetet ligjzbatuese të Francës, Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë, zbuluan aktivitet kriminal që përfshin:

Vrasje me paramendim për hakmarrje; Mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve; Falsifikim dokumentesh dhe përvetësim të pronave shtetërore në Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj; Përdorim të automjeteve me qira, banesave dhe mbikëqyrjes për realizimin e krimeve.

Mes të arrestuarve janë shtetasit A.L., V.M., A.B., V.B., E.A., A.B., A.D. dhe E.K., të dyshuar për vrasje me paramendim, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, falsifikim dokumentesh dhe mbajtje të armëve pa leje. Njëra nga të dyshuaret, E.A., ka marrë masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit për veprën e falsifikimit të dokumenteve.

Gjithashtu, u sekuestruan preventivisht 11 pasuri me sipërfaqe totale 254.300 m² në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.

SPAK falenderon BKH, Policinë e Shtetit, Europol, Eurojust dhe autoritetet e vendeve të Bashkimit Evropian për bashkëpunimin e ngushtë në hetime dhe ekzekutimin e masave.

More posts