SPAK ÇON NË GJYKATË ÇETËN E MIKROKREDIVE/ Kush është “BOLI” që “kullufiti” 1700 prona për t’ia dhënë MCA-së

SPAK me Edvin Kondilin, prokuror të çështjes, sapo ka përfunduar një prej hetimeve më të bujshme të viteve të fundit. Skema e mashtrimit me kredi zbërthehet në një material 200 faqesh dhe mbi 10 mijë fletë prova.

Llahtaria me pronat e shqiptarëve vërtetohet nga hetimet e përfunduara. 1700 prona të grabitura, pa një inventar akoma përfundimtar. 8.6 milionë euro të vjedhura nga Elda Ibro, 1.4 milionë euro Arben Meskuti, bashkë me 3.8 milionë euro të grabitura me faturime të ADCA, 1.2 milionë euro Alban Kote, 480 mijë euro Yljana Sejfo, 540 mijë Arben Meskuti nëpërmjet Star, 120 mijë euro Rigels Bejko dhe 280 mijë euro së bashku Altin Vako, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj dhe Helidon Xhindi.

Këto janë shifra karamele para vjedhjes gjigande të pronave me ankande fiktive. Skema udhëhiqej nga Olsi Ibro, me ekzekutor Rigels Bejko me nofkën “Boli”.

Në faqen 65 të akuzës lexohet si bëheshin ankandet nga “Boli” i përmbarimit. Vetëm në një ditë ai shiste me dhjetëra prona në ankand. Më 23.11.2023 “Boli” bëri plot 75 ankande. Pronat që kaluan më pas në pronësi të MCA u zhdukën nga qarkullimi. Paratë e përftuara pas shitjes së tyre me çmim tregu, sipas hetimit, janë pastruar duke u investuar në një objekt në Selanik të Greqisë dhe në disa të tjerë në jug të Shqipërisë, ku Rigels Bejko figuron edhe si investitor në një firmë ndërtimi.

Miliona euro janë vjedhur nga skema gjigande e grabitjes me kredi. Ato janë investuar në biznese dhe pasuri të paluajtshme. SPAK me prokuror Kondilin hapi siparin me dërgimin e çështjes në gjykatë. Aty pritet të bashkohen dhjetëra viktima të mashtrimit gjigand, të cilat do tregojnë bëma dhe emra të tjerë të përzier në aferën e Meskutit, Bolit të përmbarimit dhe shokëve të tyre.

More posts