“Skandali që trondit sistemin: Ish-gjyqtarja e lidhur me trafikantët e kokainës në Amerikën Latine!”

Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë rekursin e ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila kërkonte lirimin nga paraburgimi me pretendimin se ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore. Më herët, edhe Apeli i GJKKO-së kishte refuzuar kërkesën e saj, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.

Fetahu akuzohet për përfshirje në organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela, një prej emrave më të përfolur në botën e krimit në Elbasan. Sipas dosjes së SPAK, ish-gjyqtarja është pjesë e një rrjeti që përfshin zyrtarë të drejtësisë, punonjës policie dhe përfaqësues të medias, të cilët dyshohet se janë korruptuar për të mbrojtur aktivitetin kriminal të grupit.

Në fund të vitit 2024, SPAK goditi këtë organizatë duke lëshuar 21 masa sigurimi për persona të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet belge, franceze dhe ekuadoriane, zbuluan se paratë nga trafiku përdoreshin për financimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë porositjen e vrasjeve në Elbasan dhe pastrimin e parave në biznese të ligjshme në Shqipëri.

SPAK ka deklaruar se organizata kishte ngritur një strukturë të mirëorganizuar për të eliminuar kundërshtarët dhe për të siguruar mbrojtje për veten, duke blerë heshtjen apo bashkëpunimin e funksionarëve të ndryshëm në institucionet shtetërore.

More posts