Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për dosjen mbi skandalin e mikrokredive, në ngarkim të të pandehurve ku bën pjesë edhe aksioneri Arben Meskuti, të cilët zhvatën mijëra qytetarë.
SPAK jua ka dërguar letrën që do të shkojë në gjykatë, 30 viktimave të kësaj skeme mashtruese, të cilët kanë faktuar veprat penale.
Bëhet me dije se për Arben Meskutin parashikohet të paktën 20 vjet burg, dhe mbi 10 vjet për të akuzuarit e tjerë, sipas neneve të Kodit Penal.
Ndërkohë, Olsi Ibro, përjashtohet nga ky varg dënimesh, pasi në korrik të vitit të kaluar ndërroi jetë duke kryer vetëvraje.
Në bazë të hetimeve tashmë të përfunduara, rezulton se të akuzuarit kishin funksionuar si një grup i strukturuar kriminal për 9 vite, duke mashtruar shqiptarët përmes skemave korruptive të mikrokredive.
Pas përfundimit të hetimeve, gjyqi pritet të fillojë në shtator të këtij viti.
Sipas dosjes së SPAK: Në përfundim të hetimeve janë siguruar të dhëna të sakta se të pandehurit Elda Ibro, Arben Meskuti, Alban Kote, Aldo Daka, Albert Gega, Olsi Ibro, Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, Yliana Sejfo, Indrit Çuberi, Rigels Bejko, Altin Vako, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Roland Deda, Endri Myftari, Personi juridik “Micro Credit Albania” sh.pk., Personi juridik “ADCA” sh.p.k., Personi juridik “Final” sh.p.k., “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group” kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Falsifikimit të dokumentave”, “Falsifikimit të dokumentave”, kryer nga personi që ka per detyrë lëshimin e dokumentit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/3; 186/1; 186/3; 333/a dhe 334, paragrafi i parë, të Kodit Penal.
Kujtojmë se Arben Meskuti, pronar i disa shoqërive financiare që ngritën skemë piramidale, ndodhet në qeli me vendim të Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Prokuroria e Tiranës lëshoi 9 masa sigurie për personat e përfshirë në skandalin e mashtrimit me mikrokreditë, ku janë zhvatur mijëra qytetarë.
Prokuroria ka dalë në përfundimin se Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, por edhe personat fizikë: Elda Ibro, Andis Gjoka, Olsi Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Cuberi, Indrit Cuberi, Alban Kote, Aldo Daka, Edmond Mato, Roland Deda, Jordisa Dervishi, Alketa Sali Goxha, Albert Geea, Kejda Seferi, Mariela Basha, Besmir Barxhani, Saimir Hajdari, Bashkim Xhafa, Florian Beqaraj, kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra.