Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja në detyrë ka rikthyer frikën dhe pasigurinë në zemrën e institucioneve të drejtësisë shqiptare. Ngjarja e rëndë ka vënë në pikëpyetje jo vetëm sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe funksionimin e vetë sistemit të garantuar për t’i mbrojtur ata.
Si ndryshoi siguria në gjykata pas VKM-së së firmosur nga Rama pesë vite më parë

Me një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 10 korrik 2020, qeveria shqiptare – me firmën e kryeministrit Edi Rama – kishte përcaktuar rregulla të qarta për mbrojtjen e gjykatave dhe prokurorive.
Sipas vendimit, çdo institucion duhej të hartonte politika të brendshme sigurie, të kontrollonte hyrjet, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse dhe ruajtjen e dokumenteve.
Në dokument, termi “punonjës sigurie” përfshin personelin e ngarkuar për të garantuar rendin dhe mbrojtjen nga çdo kërcënim, përfshirë ndalimin e hyrjeve të paligjshme, armëve apo sendeve të rrezikshme.
Po ashtu, kryetari i çdo institucioni ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen e pajisjeve teknike dhe testimin e tyre periodik.