Trishtim i pafund në Greqi: Dy fëmijët shqiptarë në vdekje klinike – prindërit dhurojnë organet për të shpëtuar jetë të tjera
“Shqiptari që sfidoi vdekjen për të shpëtuar dy fëmijë – ndërsa prindërit bëjnë aktin më fisnik”

Një tragjedi që ka prekur thellë zemrat e mijëra njerëzve ka ndodhur në qytetin e Artës, në Greqi. Dy fëmijët shqiptarë, vetëm 13 dhe 14 vjeç, të cilët ranë në ujërat e akullta të lumit Arachthos, nuk kanë më asnjë shpresë për të mbijetuar. Mjekët konfirmuan se ata ndodhen në gjendje të pakthyeshme vdekje klinike, dhe të vetmet që i mbajnë në jetë janë pajisjet artificiale.
Në një moment ku dhimbja është e pamasë, prindërit e të miturve kanë treguar madhështinë e shpirtit njerëzor: kanë vendosur të dhurojnë organet e fëmijëve të tyre, në mënyrë që jetë të tjera të mund të shpëtojnë nga kjo humbje e rëndë.
Fëmijët u nxorën nga lumi nga shqiptari Ledian Goga, i cili nuk u mendua dy herë dhe u hodh menjëherë në ujë për t’i shpëtuar. Megjithëse i dërguan me urgjencë në spitalin e Patrës dhe iu nënshtruan reanimacionit intensiv, dëmtimet në tru dhe mungesa e oksigjenit për mbi një orë rezultuan fatale.
Në vendin ku ndodhi ngjarja, dhjetëra miq, të afërm dhe qytetarë kanë vendosur lule dhe mesazhe prekëse. Ata i quajnë “engjëj që do të kujtohen gjithmonë si heronj” – jo vetëm për mënyrën tragjike se si humbën jetën, por për shpëtimin që do të sjellin tek fëmijë të tjerë.