Shqiptari në Greqi, ish-anëtar bande/ Zbardhet arsyeja pse vrau gruan e tij!

Pas më shumë se 48 orësh kërkimesh intensive, autoritetet greke arrestuan këtë të diel Pandeli Nakolecin, 40 vjeçarin shqiptar që tronditi qytetin e Volosit me krimin makabër ndaj bashkëshortes së tij 36-vjeçare, Marjola Nakoleci.

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten paradite, rreth orës 11:00, brenda banesës së çiftit, ku katër fëmijët e tyre të mitur (5–18 vjeç) u bënë dëshmitarë të skenës së tmerrshme. Sipas dëshmive, konflikti nisi pas një mesazhi të marrë në telefonin e gruas, që ndezi xhelozinë e sëmurë të burrit, i cili dyshonte prej kohësh për një lidhje jashtëmartesore. Në kulmin e zënkës, 40-vjeçari mori thikën dhe e goditi për vdekje bashkëshorten, pavarësisht përpjekjeve të saj për t’u larguar.

Marjola Nakoleci u përpoq të dilte nga apartamenti, por autori e ndoqi deri te hyrja e pallatit dhe e qëlloi përsëri. Gruaja ra mbi një xham të derës, i cili u thye duke i shkaktuar plagë të rënda. Ajo u transportua drejt spitalit, por ndërroi jetë gjatë rrugës për shkak të gjakderdhjes masive.

Hetimet kanë zbuluar profilin e errët kriminal të autorit. Pandeli Nakoleci ka qenë i arrestuar disa herë për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa vetëm pak muaj më parë, në qershor 2025, ishte shtruar me urdhër prokurorie në një klinikë psikiatrike pas një tentative vetëvrasjeje. Sipas dëshmive të fëmijëve dhe familjarëve, ai ishte përdorues i rregullt i narkotikëve dhe ushtronte shpesh dhunë brenda familjes.

Pas ngjarjes, 40-vjeçari u arratis duke u fshehur për afro 29 orë vetëm 200 metra larg shtëpisë. Policia greke, e ndihmuar edhe nga kamerat e sigurisë në zonë, arriti ta lokalizojë dhe t’i vërë prangat. Burime nga mediat greke raportojnë se deklaratat e para të tij pas arrestimit kanë qenë cinike: “Ia bëra mirë, e meritonte, nuk pendohem për asgjë pasi ajo merrej me tjeter burre !

Tre nga fëmijët e çiftit u dërguan fillimisht në spital për ekzaminime dhe më pas pritet të sistemohen në një qendër sociale. Komuniteti i Volosit është i tronditur nga kjo tragjedi, që i shtohet listës së gjatë të rasteve të femicidit në Greqi vitet e fundit.

More posts