“Shqipëria po boshatiset! Popullsia në rënie dramatike – ja sa kemi mbetur!”

Shqipëria po përjeton një krizë të thellë demografike! Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, në fillim të vitit 2025, vendi kishte vetëm 2.363.314 banorë, duke shënuar një tkurrje vjetore prej 1,2%. Shifra që konfirmon se largimi masiv i shqiptarëve vazhdon pa frena.

Emigracioni masiv është shkaku kryesor, me mbi 28.800 qytetarë më shumë që lanë Shqipërinë sesa u kthyen ose u vendosën këtu gjatë vitit 2024. Edhe pse shtesa natyrore (diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve) mbetet pozitive, me vetëm +1.208 lindje neto, nuk mjafton për të kompensuar humbjet nga emigrimi.

Tirana, e vetmja që po rritet, ka tërhequr 0,2% më shumë banorë falë migrimit të brendshëm dhe zhvillimit ekonomik. Ndërkohë, qarqe si Shkodra (-2,5%) dhe Kukësi (-2,3%) po boshatisen gjithnjë e më shumë.

Një tjetër shqetësim vjen nga lindjet: raporti gjinor është rritur ndjeshëm, me 107,8 meshkuj për 100 femra, duke ngritur alarmin për prirje të mundshme ndaj përzgjedhjes gjinore, një praktikë që mund të çojë në pabarazi të thellë në të ardhmen.

Rënia e lindjeve, emigracioni dhe plakja e popullsisë janë tre sfidat madhore që po e transformojnë Shqipërinë në mënyrë dramatike.