Oksigjeni është jetik për ekzistencën tonë, por për sa kohë do të vazhdojë të na mbështesë? Një studim i ri i realizuar nga shkencëtarë të NASA-s dhe Universitetit Toho në Japoni paralajmëron se atmosfera e pasur me oksigjen e Tokës mund të shkatërrohet brenda një miliard vitesh.
Shkenca ngre alarmin: Tokës po i mbaron oksigjeni më shpejt nga sa mendonim

Edhe pse duket si një afat shumë i largët, rënia e parë e ndjeshme e niveleve të oksigjenit mund të fillojë shumë më herët ndoshta brenda 10 mijë viteve të ardhshme. Sipas Christopher Reinhard, bashkautor i studimit nga Instituti i Teknologjisë i Xhorxhias, “jeta e atmosferave të pasura me oksigjen mund të jetë më e shkurtër nga sa kemi menduar deri tani”.
Studiuesit janë fokusuar në lidhjen mes niveleve të oksigjenit dhe rritjes graduale të ndriçimit të Diellit. Me rritjen e temperaturave në Tokë, dioksidi i karbonit (CO₂) në atmosferë do të fillojë të shpërbëhet, duke vështirësuar procesin e fotosintezës themelor për mbijetesën e bimëve dhe për prodhimin e oksigjenit.
Nëse bimët nuk mund të mbijetojnë, pasojat do të jenë dramatike, pasi ato janë burimi kryesor i oksigjenit në planet. Mungesa e prodhimit të oksigjenit do të çojë në zhdukjen e shtresës mbrojtëse të ozonit, duke lejuar që rrezatimi ultravjollcë të arrijë në sipërfaqen e Tokës.
Njëkohësisht, në atmosferë do të grumbullohen sasi të larta të metanit një gaz serrë i fuqishëm, duke krijuar një mjedis të papërshtatshëm për jetën siç e njohim. Sipas udhëheqësit të studimit, Kazumi Ozaki, do të ndodhë një “deoksigjenim i madh”, ku atmosfera e Tokës do të karakterizohet nga përqendrime të larta të metanit, nivele shumë të ulëta të CO₂ dhe mungesë të shtresës së ozonit.