Gjinekologu Shkëlqim Balili, i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, ka folur gjerësisht mbi rëndësinë e shëndetit riprodhues si tregues i shëndetit të përgjithshëm të njeriut. Sipas tij, periudha riprodhuese është faza më vitale e jetës dhe energjia që ka trupi gjatë kësaj kohe është e pakrahasueshme me çdo periudhë tjetër.
Shëndeti riprodhues, mjeku gjinekolog: Rinia shqiptare po ushqehet keq! Ja rreziku nga kimikatet dhe ndikimi te hormonet

“Njerëzit në moshë riprodhimi kanë një fuqi të pashtershme, ndryshe nga shumë specie bimore e shtazore që vdesin pas kësaj faze. Por pas riprodhimit, njeriu nuk ka më të njëjtën energji,” u shpreh Balili.
Gjinekologu theksoi rëndësinë e ciklit menstrual si “një dhuratë e Zotit” për gratë, duke sqaruar funksionin që kanë hormonet gjatë këtij procesi. “Në dy javët e para, estrogjeni luan rol vendimtar për identitetin gjinor dhe funksionet e tjera hormonale, ndërsa në fazën e dytë dominon progesteroni – hormoni i lumturisë – i cili përgatit trupin për një shtatzëni të mundshme.”
Ai shpjegoi edhe funksionin e hipotalamusit, i cili kontrollon temperaturën trupore, metabolizmin, sistemin hormonal dhe ruan aktivitetin seksual.
Balili ngriti shqetësimin për shëndetin riprodhues të meshkujve, duke theksuar se temperaturat e larta ndikojnë negativisht në prodhimin e spermatozoideve. “Meshkujt nuk duhet të mbajnë të mbathura të zeza apo të ngushta, sidomos në temperatura të larta, pasi testet humbasin aftësinë riprodhuese nëse kalojnë 37.5°C,” tha ai.