Shembja e bujtinave në Valbonë/ Banorët në lot: 30 vite votë për Ramën, e sot na pushkaton

Aksioni i prishjes së bujtinave në Valbonë ka vijuar sërish sot me ndërhyrjen e IKMT dhe forcave të rendit, duke shembur godina të ndërtuara prej druri nga banorët vendas. Një çift i moshuarish, që jeton prej vitesh në Valbonë, duke folur për Syri Tv, kanë shpërthyer në lot dhe akuza të forta ndaj qeverisë, ndërsa bujtina e tyre tre-dhomëshe, po përgatitet për shembje.

“As serbi nuk na e bënte këtë! Jemi në tokën tonë, në shtëpinë tonë! Është gjynah, jemi shqiptarë, shqiptari shqiptarit nuk ja bën këtë! Ky është gazep!”, thotë burri i moshuar.

Ai tregon se ndërtimi është bërë me para borxh, se fëmijët i ka jashtë shtetit dhe kjo bujtinë ishte i vetmi burim jetese.

“Këto i kemi me mund. I kemi paguar gjithçka, edhe dritat. Kur po e ndërtonim, erdhi policia dhe na tha ‘ju ecët mbarë’. E sot, na shembin gjithçka! Me mirë të na kishin pushkatuar!”, shprehet ai.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij, me sytë me lot, shton:“Këto shtëpi pa na vra nuk shemben. Janë me lagështirë, me baltë, punojmë për një copë bukë. Këtë vit i bëmë, e e dinim ku ishim. E sot ja ku jemi… pa mëshirë.”

Të dy kërkojnë që qeveria të ndalë këtë masakër të ndërtimeve të thjeshta që i shërbejnë turizmit dhe mbijetesës së banorëve vendas.

“30 vite ja kam dhënë votën këtij Ramës, e sot më më pushkatoi! Nuk e prisja këtë, nga vet shqiptarët! Kërkojmë vetëm të mos na i prishin është gjynah,” thanë ata.

More posts