Serbia ka hyrë në një javë të tensionuar, pasi protestat antiqeveritare në disa qytete kryesore kanë përshkallëzuar në dhunë dhe përplasje me policinë.
Serbia në flakë : Vuçiç ngre Këshillin e Sigurisë Kombëtare (VIDEO)

Në Beograd, forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e protestuesve, ndërsa qindra persona u arrestuan dhe dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar. Demonstruesit shënjestruan ambientet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në lagjet Palilula dhe Zemun, duke i shkatërruar ato. Më pas, presidenti Aleksandar Vuçiç vizitoi një nga godinat e sulmuara, duke lavdëruar policinë dhe duke theksuar se “shteti është më i fortë se çdo protestë”.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Ivica Daçiç mohoi përdorimin e dhunës nga ana e policisë, duke i cilësuar akuzat e opozitës si “propagandë për destabilizim”.
Situata e tensionuar e detyroi presidentin Vuçiç të thërrasë sot një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ky forum përfshin presidentin, kryeministrin, ministrat e Mbrojtjes, të Brendshëm dhe të Drejtësisë, si dhe drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës, duke shqyrtuar çështje madhore që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Në seancën e fundit të mbajtur më 2 gusht, Vuçiç reagoi ashpër kundër vendimit të Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës ndaj presidentit të entitetit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, duke e cilësuar si “politik dhe antidemokratik”, që sipas tij rrezikon stabilitetin rajonal.