Rama ndaj vendimit të gjyqtarit Balliu: “Skandal, mbrohet një pallat pa leje…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj vendimit të gjyqtarit Balliu, i cili sipas tij, ka marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë.

Bëhet fjalë për objektin ku është sistemuar Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), që më parë ushtronte aktivitetin në një godinë të amortizuar rëndë nga tërmeti.

Në një reagim, Rama e cilësoi vendimin “skandaloz” dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për fatet e Reformës në Drejtësi. “Se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik,” tha kreu i qeverisë, duke shtuar se vendime të tilla minojnë besimin te drejtësia.

Kryeministri akuzoi gjyqtarin Balliu dhe prokuroren Gjeli për mbrojtje të interesave të ndërtuesve të paligjshëm, ndërsa kërkoi që organet e kontrollit dhe qeverisjes së gjyqësorit të “zgjohen nga gjumi” për të garantuar zbatimin e ligjit.

“Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.

Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi.

Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima.” – shkruan Rama.

More posts