Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar pasi kryeministri Rama kritikoi publikisht vendimet e dy gjykatësve të Tiranës, Klarent Demiri dhe Hazbi Balliu.
Rama kritikoi dy gjykatësit e Tiranës për vendimet ndaj ndërtimeve pa leje, reagon ashpër Unioni i Gjyqtarëve:

Deklarata e plotë e Unionit të Gjyqtarëve
Unioni i Gjyqtarëve ka ndjekur me vëmendje pakënaqësitë e shprehura publikisht nga ana e Kryeministrit ndaj disa vendimeve gjyqësore, duke anatemuar personalisht gjyqtarët për vendimmarrjet dhe kthyer ushtrimin e detyrës kushtetuese në një gjyq publik, ku njëra nga palët ndërgjygjëse për shkak të fuqisë, hapësirës mediatike dhe virtuale, jo vetëm denigron figurën e gjyqtarëve individualë, por ushtron presion të hapur ndaj trupës gjyqësore në tërësi, duke përcjellë mesazhin te gjyqtarët se nëse vendimmarrja e tyre nuk do të pëlqehet, do të jenë objektivat e radhës.
Pa dashur për t’u përfshirë në debate virtuale në periudhë pushimesh, dëshirojmë të theksojmë se UGJSH mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Por, nga ana tjetër vërejmë se në mënyrë të përsëritur bëhen deklarata, komente dhe ndërmerren iniciativa, të cilat nuk janë aspak parimore, nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimmarrjes së gjykatave dhe parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor, por cënojnë drejtpërdrejt integritetin e gjyqtarëve, duke i fyer, deformuar dhe keqinterpretuar faktet, çështjet ligjore, apo procedurat e ndjekura, ndërkohë që vendimet jepen “NË EMËR TË REPUBLIKËS” dhe çdo palë që është e pakënaqur, ka të drejtën e ankimit në një gjykatë më të lartë, apo vendosë në lëvizje organet disiplinore për çdo shkelje të ligjit qe pretendon se ka kryer gjyqtari.
Këto deklarata me gjuhë dhe sjellje të papranueshme, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës dhe qeverisjen demokratike, vishen nën petkun e reformës së radhës dhe rreshtuar si gjithmonë gjyqtarët në llogoren e antireformës, kur vetë “Sistemi i drejtësisë”, ende nuk është maturuar pas reformës së thellë që kaloi dekadën e fundit!