Gjatë konferencës “Shqipëria, horizont i ri” në Vjenë, Kryeministri i Shqipërisë ftoi publikisht ata që kanë kapital të lirë të blejnë prona në vend, duke deklaruar se çmimet e banesave do të dyfishohen pas disa vitesh. “Blini një apartament në Tiranë, prisni pak vite, dhe e shisni me çmim dyfish,” – u shpreh ai.
“Rama fton spekulantët: Blini sot, shisni dyfish nesër! Çfarë ndodh me qytetarët pa shtëpi?”

Ekspertët paralajmërojnë se kjo qasje inkurajon spekulimin, duke kthyer strehimin nga një e drejtë sociale në një mjet fitimi. Raporti “Housing2030” i UNECE, Housing Europe dhe UN-Habitat thekson se financializimi i strehimit ul përballueshmërinë e banesave dhe i transformon ato në asete investimi, jo shtëpi për të jetuar.
Në Shqipëri, ku çmimet e banesave janë tejkaluar aftësinë paguese të shumicës së familjeve dhe ku tregu i qirave të përballueshme pothuajse nuk ekziston, kjo politikë thellon pabarazitë dhe përjashton qytetarët nga tregu.
Eksperienca ndërkombëtare tregon pasojat e spekulimit të pandëshkuar:
Në Kanada (Toronto, Vancouver), investimet e huaja dhe flukset spekulative çuan në çmime të larta. Autoritetet reaguan me taksa mbi banesat bosh dhe blerësit e huaj. Në Berlin, pjesë e fondit publik të banesave iu shit kompanive, çka rriti qiratë dhe nxiti protesta masive. Masa si ngrirja e qirave dhe diskutimet për shpronësimin tregojnë përpjekjet për të frenuar spekulimet. Në Zvicër dhe Holandë aplikohen taksa mbi fitimet e shpejta nga shitjet e banesave për të frenuar “flipping”-un.