Rënia e 9 nëntorit si datë zgjedhjesh, pavarësisht arsyeve (këllqe gjykate a kohë e blerë prej pushtetit nga sondazhet shkurajuese) është krisja e parë e fortë e mitit të të gjithpushtetshmit. Por duhet kalitur muskuli i opozitarizmit dhe të jetë jy i fundit që karikon fushatë edhe kur nuk ka. Ndaj ky shënim i shkon kësaj logjike, kurdoqoftë data e re për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë.
Është e kuptueshme që njerëzit janë entuziazmuar me Florin. Ai vjen i pastër, pa gjurmë pushteti, pa gjuhën e konsumuar të politikës dhe kjo mjafton për t’u parë si shpresë. E që ka shpresë ky është lajm i madh. Në këtë garë, krahasimi midis Binajt dhe Manastirliut është krejt i pabarabartë në thelb.
Përballë ndodhet një zyrtare e provuar me dështime në sektorë jetikë, shëndetësi e arsim, produkti i një makinerie shtetërore diabolike për mbijetesë politike, me rrjete patronazhimi, administratë të instrumentalizuar, buxhet publik që financon fushata dhe një kulturë varësie absolute të ngritur me vite. Në këtë habitat nuk garon vetëm njeriu, garon edhe sistemi që e ka ngritur atë.Dhe ndoshta kjo është mundësia e vërtetë që sjell kjo garë, jo për të shpëtuar qytetin me një fytyrë të re, por për të testuar nëse shoqëria jonë është gati të mbrojë një njeri të pastër nga një sistem i komsoliduar, që s’e do të tillë.
Flori është ndoshta kandidati më njerëzor që ka hyrë në një garë të tillë prej vitesh. Por pikërisht sepse është i tillë, duhet mbrojtur nga idealizimi. Në sisteme të konsoliduara e demokratike, ndershmëria nuk është heroizëm, por procedurë. Në sisteme të kapura, ndershmëria është rrezik që duhet mbrojtur me ligj, kontroll dhe transparencë.
Ndaj çdo kandidaturë e re duhet përpos sinqeritetit, të pajiset me arkitekturën e garancive që propozon, si do të ruajë pavarësinë, si do të kontrollojë vendimmarrjen, si do të sigurojë transparencë mbi çdo kontratë e vendim.Për këtë, në fushatën e opozitës duhet një ushtrim qytetarie institucionale, ku pavarësisht rezultatit fiton precedenti, ndershmëria dhe llogaridhënia më në fund bëhen funksionale.
Nuk më shqetëson sesa agresivë janë gazetarët e analistët në përballjet me të, madje nëse do tregoheshin të butë, tolerantë e miqësorë me Florin do ta privonin nga mundësia e artë ta ngrejë këtë debat jo mbi veten, por mbi mënyrën si funksionon pushteti. Vetëm atëherë kandidatura e tij bëhet më shumë se garë, bëhet moment kulture qytetare.
“Mos prisni heronj, ndërtoni institucione” është mësimi më i fortë që një shoqëri mund t’i japë historisë. Se asnjë pushtet nuk është i përjetshëm, përgjegjësia PO.Një njeri, sado i mençur, i drejtë apo karizmatik ka jetë të kufizuar, emocione, interesa, lodhje, frikë. Institucioni, nëse është ndërtuar drejt, nuk ka ego, nuk ka interesa personale. Ai është forma e përhershme e arsyes kolektive, që rregullon fuqinë e individëve. Nëse një shtet i var rregullat mbi karakterin e njerëzve, ai bie sapo karakteret ndryshojnë.Andaj ngritja e debatit tek dështimi i institucioneve prej vullnetit të pushtetit është çfarë duam të dëgjojmë dhe për këtë kandidati i opozitës ka integritetin të flasë e kundërshtarja të gjykohet. Prandaj tek Flori duhet të kërkojmë mundësinë dhe jo heroin.
Shqipëria harxhon gjithmonë energji për të gjetur një shpëtimtar, kur mund t’i kanalizonte ato energji të bekuara në ngritjen e institucioneve që e bëjnë të panevojshëm shpëtimtarin.Reforma reale fillon kur pushteti pranon të ndryshohet nga ligji dhe vota. Nuk përmbyset ajo që nuk kuptohet. Nga fushata e opozitës njerëzit duhet të dalin më të mençur, jo thjesht duke analizuar Ramën si figurë, por arkitekturën e pushtetit të tij. Kapjen graduale të institucioneve nën pretekstin e reformës, shpërbërjen e çdo balance kontrolli në emër të “stabilitetit”, zëvendësimin e besimit publik me varësi ekonomike e mbijetese për bukën e gojës, krijimin e një tregu të kontrolluar të mediave dhe futjen e krimit të organizuar në sistem. Kuptimi i kësaj strukture është gjysma e fitores.
Regjimet e reja kontrollojnë me skrupolozitet si ekonominë, ashtu edhe perceptimin publik. Dhe këtë Flori e di mirë, se ka edhe përvojën në gazetari e media, ndaj nuk ka asnjë iluzion se kur ai shkon në një televizion pranë pushtetit do të përballet me çdo formë të drejtpërdrejtë a të kamufluar të sulmit ndaj tij. Apo edhe keqpërdorimit. Por më shumë rëndësi se kjo, apo thirrja ndaj analistëve për tolerancë ndaj tij do të kishin burimet paralele të informacionit, rrjetet sociale, platformat e verifikimit, komunikimi derë më derë.
Qëllimi nuk është propagandë kundër propagandës, por neutralizimi i monopolit mbi të vërtetën. Dhe sesi ndershmëria personale mund të përkthehet në institucione funksionale në shërbim të qytetarëve. Rama do të largohet në momentin që shoqëria e kupton se as ai, as askush tjetër pas tij, nuk mund të mbajë pushtetin pa kontroll. Qëllimi nuk është thjesht ta rrëzosh Ramën, por të pamundësosh Ramizmin, pra logjikën e sundimit të pandërprerë. Për këtë arsye Flori ka misionin historik t’i japë kuptim këtij entuziazmi ndaj një figure të re, të gjithpranuar. Për të sjellë jo vetëm oksigjen, por edhe mushkëri të reja. Që koncepti i “kandidatit të pavarur unanim” mos të ngjajë si një opozitë që ka frikë nga vetja, nga debatet, nga dallimet, nga guximi për të dalë me një ide që ndan, apo si simptomë e një opozite të dobët, që më shumë kërkon t’i mbijetojë lojës sesa ta ndryshojë atë. Nëse Flori do të fitojë, le të fitojë si njeri që sfidon një sistem, jo si ëndërr që e ushqen atë. Dhe nëse kjo garë arrin të rikthejë besimin tek arsyeja, tek institucioni, tek kufiri që ndan pushtetin nga individi, atëherë ndoshta për herë të parë pas shumë vitesh, Shqipëria do të ketë fituar pa e shpallur askush fituesin.