Qytetit të shkollës së parë shqipe i mbyllen 22 shkolla për 5 vite

Korça, e njohur si qyteti ku u hap shkolla e parë shqipe “Mësonjëtorja e Korçës” dhe si kryeqendra e juglindjes, po përballet sot me një krizë të dukshme në fushën e arsimit. Çdo vit, gjithnjë e më shumë institucione arsimore po mbyllin dyert e tyre.

Shkaku kryesor lidhet me shpopullimin dhe rënien e ndjeshme të lindshmërisë. Sipas të dhënave të bëra publike së fundmi, vetëm gjatë pesë viteve të fundit në qarkun e Korçës janë mbyllur të paktën 22 shkolla.

Ky fenomen ka goditur rëndë sidomos fshatra si Dardha, Boboshtica dhe Polena, ku dikur shkollat numëronin mbi 200 nxënës, ndërsa sot janë shuar plotësisht. Në Polenë për shembull, nxënësit e vitit të ri arsimor do të jenë të detyruar të ndjekin mësimet në një shkollë tjetër, pasi ajo e fshatit është mbyllur.

Edhe Drejtoria Vendore e Arsimit në Korçë e pranon këtë situatë, duke e justifikuar me numrin tepër të ulët të nxënësve që nuk lejon më funksionimin e shkollave.

Mbështetja ekonomike për familjet e reja mund të jetë një indikator nxitës që çiftet të kenë më shumë fëmijë.

More posts