PYETJE PËR GJYKATËN / Në cilin shekull do përfundojë gjyqi i Fatmir Mediut për masakrën e Gërdecit?


Dy vjet e gjysmë, 40 seanca të shtyra dhe asnjë përballje reale me drejtësinë për një nga tragjeditë më të mëdha të Shqipërisë demokratike. A do të mbërrijë ndonjëherë drejtësia në Gërdec?
Procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për përfshirje direkte në tragjedinë e Gërdecit, ka shënuar një rekord zvarritjeje absurde në historinë e gjyqësorit shqiptar: mbi 40 seanca të shtyra dhe ende pa hyrë në thelb.


Çështja “Gërdeci” nisi zyrtarisht më 27 korrik 2021, kur SPAK kërkoi rihapjen e hetimit ndaj Mediut. Gjykata e Shkallës së Parë e refuzoi. U desh ndërhyrja e Apelit të Posaçëm dhe e Gjykatës së Lartë për të urdhëruar marrjen e tij të pandehur dhe vazhdimin e procesit penal.
Por që prej atëherë, procesi është kthyer në një maratonë të qëllimshme pengesash: mungesa sistematike të avokatëve, mosparaqitje të dëshmitarëve e ekspertëve, dhe më së shpeshti, udhëtime të rregullta të të pandehurit në Shtetet e Bashkuara, njëri pas tjetrit, gjithnjë rastësisht pak ditë para seancave.
Asnjë ndalim daljeje nga vendi, asnjë paraqitje me forcë, asnjë masë përballë këtij sabotimi sistematik të procesit gjyqësor.


Pas çdo shtyrjeje, zbehet një provë, devijohet një dëshmi, harrohet një fakt. Ky është qëllimi i padiskutueshëm i avokatëve të Fatmir Mediut dhe mbrojtësve të tij të heshtur në sistem: të shtyhet pafund drejtësia derisa ajo të bëhet e pavlefshme.
E vërteta është që ndihmësit e tij më të mëdhenj janë jashtë sallës së gjyqit: Sali Berisha, që e mban të afërt për hesap politik, dhe Edi Rama, që tentoi ta amnistonte me ligj të veçantë përmes një draft-amnistie që dështoi nën presionin e partnerëve ndërkombëtarë.


Po flasim për një tragjedi me 26 viktima, mbi 300 të plagosur, dhe mbi 5 miliardë euro dëme ekonomike e sociale. Një tragjedi që tronditi ndërgjegjen e publikut, por që, për sistemin e drejtësisë, duket se është kthyer në një farsë proceduriale.
Gjykata e Posaçme për korrupsion dhe krim të organizuar ende nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike përse procesi nuk mbyllet, megjithëse për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” ligji parashikon përfundimin e gjykimit brenda 4 muajve.
Pas 30 muajsh drejtësia e re duket më e plakur se e vjetra ndërkohë viktimat e Gërtecit nuk po gjejnë ende paqe. Viktimat rrinë zgjuar nga plagët, Fatmir Mediu fle i qetë…
Nga Pamfleti

More posts