Punonin për bukën e gojës, u kthyen me arkiv*l” Kush janë 7 kamarierët e vr*rë ne Shqiperi dhe historia e tyre tr*gjike

Në Shqipëri, të punosh si kamarier është kthyer jo vetëm në një profesion sfidues, por në disa raste fatkeqësisht edhe në një rrugë pa kthim. Rasti më i fundit, ai i dhunës së ushtruar ndaj një kamarieri Ron Balaj nga një ish-polic në Vlorë, ka rikthyer vëmendjen tek një bilanc tragjik që pak është thënë në publik: të paktën 7 kamarierë janë vrarë në 11 vitet e fundit teksa ushtronin punën e tyre.

Gazetari Klevin Muka, në një status të fortë në rrjete sociale, ka sjellë në vëmendje këto histori të rënda, duke i përmendur me emra dhe data, dhe duke ngritur një pikëpyetje të madhe morale për shoqërinë dhe institucionet: Si mundet që punëtorët më të ndershëm, më të thjeshtë dhe më të pambrojtur të përfundojnë në mënyrë kaq tragjike?

Bilanci i zi:

  • 14 Gusht 2014 – Denis Vyshka, 28 vjeç, kamarier në Dhërmi, vritet nga dy pronarët e lokalit ku punonte. Dyshonin se u kishte vjedhur para. I riu u torturua për 3 orë dhe një goditje me hanxhar i mori jetën.
  • 29 Shtator 2015 – Gentian Bajraktari, 21 vjeç, kamarier në Elbasan, qëllohet për vdekje nga një klient, vetëm sepse vonoi picën.
  • 27 Qershor 2021 – Musaen Zeneli, 20 vjeç, kamarier në Velipojë, mbetet i vrarë pas një përplasjeje mes dy grupeve që luftonin për shezlongët në bregdet. Ai ndodhej aty për të punuar.
  • 4 Tetor 2021 – Gazment Kurmaku, kryekamarier në Fish City, Elbasan, dhunohet për vdekje pasi nuk lejoi një klient problematik të ulej në një tavolinë të rezervuar.
  • 12 Mars 2023 – Mimoza Paja, kamariere në Laprakë, qëllohet për vdekje gjatë një atentati në mes të kryeqytetit. Ajo kishte me vete edhe mbesën e saj, ndërsa punonte për të mbajtur familjen.
  • 5 Qershor 2024 – Eraldo Nevruzi, recepsionist në një hotel në Dhërmi, vritet nga pronari i hotelit vetëm një javë pasi kishte filluar punën.
  • 20 Korrik 2024 – Gledjan Muka, 36 vjeç, kamarier në Memaliaj, humb jetën gjatë një masakre. Ai nuk ishte shënjestra, por viktimë rastësore teksa punonte për bukën e gojës.

Një shoqëri që nuk mbron të pambrojturit

Këto histori nuk janë thjesht kronikë e zezë. Janë pasqyrë e një realiteti ku dhuna, papërgjegjshmëria institucionale dhe mungesa e kulturës së respektit ndaj punëtorëve, kanë sjellë pasoja fatale. Asnjë prej këtyre të rinjve nuk kërkonte asgjë më shumë sesa një pagë për të jetuar me dinjitet. Dhe për këtë sakrificë, u shpërblyen me vdekje.

Rastet janë në rritje, ndërsa askush nuk flet më për të mbijetuarit: prindërit që s’e kanë marrë dot veten, fëmijët që mbetën jetimë, familjet që mbetën pa dritën e syve.

Apeli

Është koha që të merren masa reale. Të vendosen standarde sigurie për punonjësit e bareve dhe restoranteve, të ushtrohet kontroll mbi mënyrën se si trajtohen nga pronarët apo klientët dhe të ketë ndëshkime shembullore për çdo akt dhune në vendin e punës.

Sepse nuk mund të quhet “punë” kur përfundon në varr. Sepse nuk ka gjynah më të madh se të vdesësh duke kërkuar bukën e gojës.

U prehshin në paqe. Të mos harrohen kurrë.

More posts