Publikohet mesazhi i fundit i motrave që u shuan tragjikisht në aksident! Çfarë i kërkuan Drejtorit të Sarandës

Dhimbja për familjen Dhimaku në Sarandë është e pafund pas humbjes së dy vajzave të tyre, Elvisës 22-vjeçare dhe Rozinës 20-vjeçare, të cilat u shuan në aksidentin tragjik rrugor në Delvinë mbrëmjen e së dielës.

Dy motrat e reja nuk ishin vetëm studente e vajza me ëndrra, por edhe shembull i sakrificës. Ato punonin ditë e natë për të siguruar të ardhura që të ndihmonin vëllain e tyre të vogël, vetëm 7-vjeç, i cili vuan nga leucemia.

Në rrëfimin e tij prekës, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë Sarandë, Jolio Dine, kujtoi momentet e fundit të komunikimit me Rozinën. Ai tregoi se e njihte 20-vjeçaren, e cila kishte ngritur një strukture të improvizuar me kallama e bimë, pranë “Plazhit të Ri” në Sarandë, ku shiste produkte të thjeshta për të siguruar disa të ardhura shtesë.

“Rozina më kërkoi hapësirë për të tregtuar pranë plazhit. Më dërgoi një foto të strukturës së saj modeste, që mbartte shumë dhimbje e forcë. Ajo kurrë nuk më tha se arsyeja ishte për të ndihmuar vëllain e saj. Më tha vetëm me krenari se studionte për mjekësi, por kishte nevojë të madhe për të punuar,” – shkruan Dine.

Por sakrificat e tyre nuk mbaronin me kaq. Sipas burimeve, Rozina punonte edhe si pastruese, ndërsa Elvisa si kuzhiniere mëngjesesh në dy biznese hoteliere në Sarandë. Dy punë në ditë, përveç tregtisë ambulante, për t’i dhënë shpresë jetës së të voglit të familjes.

“Lus Allahun që Rozina dhe Elvisa të bëhen banore të Xhenetit. Dhe njëkohësisht bëj thirrje për të gjithë që të ndihmojmë sa të mundemi vëllain e tyre të sëmurë,” – përfundoi ai në postimin e tij.

Tragjedia e dy motrave ka prekur gjithë Shqipërinë, ndërsa i vetmi ngushëllim që ka mbetur për familjen është shpresa se i vogli i tyre 7-vjeçar do të të marrë trajtimin e nevojshëm për të fituar jetën.

More posts