Në dëgjesën e parë publike për draftin e ri të Kodit Penal, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, ndezi debat me qëndrimet e tij për disa çështje të nxehta, përfshirë shpifjen dhe prostitucionin.
“Pro*titucioni drejt legalizimit? Shpifja, ende me burg – debati i nxehtë për Kodin Penal”

Rakipi tha qartë se shpifja nuk duhet të depenalizohet, duke argumentuar se mbetet një vepër që sjell rrezikshmëri në shoqëri dhe nuk mund të trajtohet thjesht si një çështje politike.
“Depenalizimi nuk është proces politik, por duhet parë nga efekti që ka një vepër në shoqëri. Në shumicën dërrmuese të rasteve, shpifja duhet të mbetet e penalizuar”, – u shpreh ai.
Por krejt ndryshe ishte qasja e tij për prostitucionin. Rakipi propozoi depenalizimin e tij, duke lënë të hapur diskutimin për rregullim institucional dhe shoqëror të aktivitetit, në vend që të trajtohet si krim. Ai përmendi gjithashtu edhe çështje të tjera si bigamia, pirja e alkoolit në publik dhe eutanazia, duke sugjeruar që disa prej tyre të depenalizohen.
Këto propozime vijnë ndërsa drafti i ri i Kodit Penal po shqyrtohet në një seri dëgjesash publike, ku përfshihen ekspertë, institucione dhe qytetarë, me synimin për të krijuar një ligj më modern dhe efektiv.