Po pasurohet duke shitur kokainë në Britani, shqiptari zgërdhihet para gazetarëve të Daily Mail: S‘do ndalem kurrë!

Prestigjozja britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull të gjerë fenomenit të bandave shqiptare të drogës në Britani, duke marrë si shembull rastin e një 25-vjeçari shqiptar nga Kosova, të quajtur Erik. Duke u zgërdhirë e pa shfaqur asnjë shqetësim, ai tregoi për gazetarët e infiltruar se fiton shuma të mëdha duke shitur kokainë nëpër baret luksoze të Oxford Street dhe Soho.

Eriku u arrestua pak muaj më parë në Londër me gjashtë doza kokaine, por u mbajt vetëm dy javë në burg, pa u ngritur akuza dhe pa asnjë masë sigurie. Ai vetë pranoi se doli nga burgu pa probleme dhe rifilloi aktivitetin, duke e konsideruar policinë britanike “shumë më të butë” krahasuar me atë të vendlindjes: “Këtu është më mirë, atje të thyejnë nofullat e të qëllojnë me armë. Këtu nuk kam frikë fare nga policia.”

Sipas investigimit të Daily Mail, Eriku e nisi këtë ‘punë’ thjesht duke postuar numrin e telefonit në grupin “Albanian Community in the UK” në Facebook, ku bandat shqiptare rekrutojnë shpërndarës. Përmes këtyre grupeve dhe edhe në TikTok, ofrohen vende pune për “motorist” apo “shofer”, terma që përdoren për shpërndarës kokaine. Simbolet si emoji i borës ose fjala “pika” (gram) shërbejnë si kod për drogën.

Hetimi zbuloi se bandat shqiptare po dominojnë tregun britanik të kokainës, duke shitur qindra kilogramë çdo javë. Fitimet janë marramendëse: një shpërndarës fiton deri në 1700 paund në javë, që përkthehet në një të ardhur vjetore të barabartë me mbi 145 mijë paund bruto, shifra të krahasueshme me drejtues të lartë kompanish.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), rrjeti shqiptar i drogës është i përhapur në qytete, fshatra dhe zona rurale, duke gjeneruar “qindra miliona paund” që çdo vit largohen nga Britania për në Shqipëri, ku më pas investohen në ndërtim apo futen në sistemin bankar.

Gazetarët zbuluan gjithashtu se shumë trafikantë shqiptarë hyjnë ilegalisht në Britani me gomone dhe më pas vendosen në hotele azilantësh. Shumë prej tyre thjesht dalin prej tyre dhe hyjnë menjëherë në rrjetin e shpërndarjes së kokainës, duke përdorur mediat sociale për t’u lidhur me bandat.

Zyrtarë britanikë e kanë cilësuar këtë situatë një dështim të rëndë të sistemit ligjor dhe të kontrollit kufitar. Përfaqësuesi i opozitës Chris Philp tha: “Bandat po na tallin në rrjetet sociale sepse e dinë që rreziku është i ulët dhe ndëshkimet të dobëta. Edhe kur deportohen, kthehen me varkën tjetër dhe vazhdojnë nga e para.”

Dominimi i bandave shqiptare në tregun e kokainës në Britani, sipas Daily Mail, është rezultat i një strategjie të thjeshtë: kokainë më cilësore, më e lirë dhe më e shpejtë për t’u shpërndarë. Sot, Londra përshkruhet nga ish-përdoruesit si “kryeqyteti i kokainës”, ndërsa shqiptarët po vazhdojnë të pasurohen, duke e kthyer fenomenin në një problem kombëtar për Britaninë.

More posts