Burime të shumta dhe zëra nga brenda institucioneve flasin për një lidhje intime të qëndrueshme mes zonjës Hysenaj dhe vetë kryetarit të Bashkisë, Armando Subashi.
Në Fier, nuk ke më nevojë të studiosh administratë publike për të kuptuar se si funksionon bashkia e korruptuar e këtij qyteti, mjafton të studiosh marrëdhëniet personale të kryetarit. Ajo që nisi si një hetim për shpërdorim detyre dhe mungesë fiskalizimi në parkimin nëntokësor, është shndërruar në një telenovelë zyrtare, ku rolet kryesore nuk i luajnë ekspertët e administratës, por çifti Subashi-Hysenaj.
Sipas hetimeve të kryera dhe masave të ekzekutuara nga policia, Adela Hysenaj, ish-drejtoreshë e Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier dhe ish-zv.kryetare e saj, është vendosur në “arrest shtëpie” për shpërdorim detyre dhe ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Por më shumë sesa një çështje ligjore, kjo histori është kthyer në një manual se si pushteti lokal përdoret për interesa personale e sentimentale. Burime të shumta dhe zëra nga brenda institucioneve flasin për një lidhje intime të qëndrueshme mes zonjës Hysenaj dhe vetë kryetarit të Bashkisë, Armando Subashi.
Një lidhje që nuk është thjesht private, ajo ka influencuar punësime, pozicione drejtuese, vendime të favorshme për subjekte private dhe madje ka vënë në rrezik arkën publike.
Sepse kur kryetari i bashkisë ndahet mes detyrës dhe dashurisë, fiton ajo që i është më afër. Dhe në këtë rast, dashuria merr me vete edhe tenderin, edhe taksën, edhe heshtjen institucionale.
Në vend që të vendosej një sistem fiskalizimi transparent për parkimin nëntokësor, kemi një dëm prej 40 milionë lekësh që nuk u arkëtuan kurrë. Dhe nuk është vetëm kjo. Ulje taksash për bizneset “të përzgjedhura”, përfitime të dyshimta, dhe një klimë tërësisht e degraduar në administratën lokale.
Por ndoshta më skandaloze se vetë shkeljet është që ka rrethuar këtë lidhje. Në një vend ku një roje shkolle duhet të deklarojë çdo të afërm në konflikt interesi, kryetari i bashkisë përqafohet publikisht me shefen e zyrës pa asnjë pasojë ligjore apo morale.
E ndërsa qytetarët e Fierit shtrëngojnë rripin, bashkia harxhon taksat për të mbajtur në këmbë një sistem të ngritur mbi afërsi personale dhe mbështetje emocionale.
Kjo nuk është më një histori thjesht korrupsioni, është triumfi i klientelizmit emocional mbi shërbimin publik. Një bashki që qeveriset nga zemra, jo nga ligji. Dhe një qytet që paguan faturën e ndjenjave që shpërndahen në zyrat e pushtetit si vendime institucionale.
Në fund, pyetja nuk është më nëse ka ndodhur shkelje. Pyetja është, a ka mbetur gjë pa u shkelur në këtë marrëdhënie me pushtetin? Dhe më tragjikja, a do ketë përgjegjësi, apo thjesht do thonë se ishte “një çështje personale”?
Në Fier, ndoshta për herë të parë në historinë e administratës, dashuria ka më shumë pushtet se ligji. Dhe kjo është një histori që nuk mund të përfundojë me “happy end”, por me ndëshkim dhe pastrim institucional. Nëse drejtësia ka ende zë. Pyetja që lind natyrshëm është nëse Adela Hysenaj ka kryer veprime pa miratimin dhe dijeninë e kryetarit Armando Subashi, apo nëse ai ka qenë pjesëmarrës ose i vetëdijshëm për këto shkelje, pa një hetim të plotë për rolin dhe dijeninë e tij, nuk mund të kuptohet nëse përgjegjësia ndan vendet në krye të Bashkisë Fier apo nëse skandali është vetëm fryt i veprimeve individuale.
Dashuria e Subashit, siç po rezulton, nuk është vetëm çështje zemre është edhe çështje takse, tenderi dhe ndikimi publik. Në një vend normal, një lidhje e tillë mes titullarit të institucionit dhe vartëses do të sillte dorëheqje, hetim të brendshëm dhe pastrim të plotë të strukturës. Por në Fier, përkundrazi, gjithçka është mbajtur nën heshtje, ndërsa qytetarët paguajnë faturën e një afërsie që ka dalë jashtë çdo kontrolli institucional.
Bashkia Fier nuk është më thjesht një institucion vendor, është një skenë ku ndjenja private transformohet në ndikim publik dhe ku ligji zhbëhet përballë marrëdhënieve “të veçanta”.