Kryetari i Rithemelimit, Sali Berisha, duket se ka injoruar aleatët opozitarë në procesin e përzgjedhjes së kandidatit për Bashkinë e Tiranës, duke u fokusuar te emra nga “gjiri” i tij politik.
Përplasjet në opozitë! Berisha injoron aleatët dhe lanson emrat e “besnikëve” të tij për Tiranën!

Berisha bëri të ditur se Adriana Kalaja, Edi Paloka dhe Klevis Balliu janë tre zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike që kanë shprehur dëshirën për të kandiduar përballë Ogerta Manastirliut, kandidates së mazhorancës.
“Adriana Kalaja, Edi Paloka, Klevis Balliu kanë shfaqur dëshirën, por përpjekja jonë për të arritur një ujdi me forcat e tjera opozitare nuk ka lidhje me kandidatët tanë të shkëlqyer, por me rekordin elektoral”, – u shpreh Berisha.
Ai shtoi se një pjesë e militantëve kërkojnë kandidatë nga radhët e PD-së, ndërsa të tjerë duan një figurë më të gjerë, jashtë strukturave të partisë, për të rritur gjasat e fitores.
Megjithatë, me këtë deklaratë, Berisha ka lënë jashtë diskutimit disa nga emrat që qarkullonin nga bisedimet me aleatët, si Edlira Çepani, Florian Haçkaj dhe Ermal Hasimja.