PD na preu në besë, por…”, Agron Shehaj: Do ta mbështesim Florjan Binajn!

Në një lidhje direkte me emisionin Opinion të gazetarit Blendit Fevziu, kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka deklaruar këtë të martë, më 7 tetor, se është ndjerë i tradhëtuar nga Partia Demokratike lidhur me negociatat për përzgjedhjen e një kandidati të përbashkët të opozitës.

Kjo sepse sipas tij, kryetari i PD-së Sali Berisha doli pa i pyetur për të deklaruar se do të mbështeste aktorin e humorit Florjan Binajn, pavarësisht se ishin ende në proces negociimi.

Ne nuk kemi folur për asnjë emër, nuk kemi përmendur kurrë emra në publik, kemi folur vetëm për parimin.  Ne jemi krenarë sepse falë propozimit tonë ngjallli një shpresë në fakt, se në fillim thonin jo, duhet kandidat me profil politik, pastaj pak politik dhe jo politik. U detyruam të nxirrnim një propozim sepse thonin është ideale kjo që thoni ju, por keni emra. Dhe ne propozuam Ermalin (e ka fjalën për Ermal Hasimjan). Jemi krenarë edhe për propozimin dhe për Ermalin. U mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme, u premë në besë. Folëm për të dalë me një kandidat jashtë partive opozitare për të shkuar përtej vetes. Ky është fakt. U mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme. Na prenë në besë. PD na preu në besë sepse na thanë propozimi është i mirë, hajde flasim për emra. Pastaj dolën e thanë emrin, po deshët mbështeteni, po deshët jo.”, deklaroi Shehaj.

Pavarësisht kësaj, gjatë bisedës kreu i Partisë Mundësia u shpreh se do ta mbështesin gjithsesi kandidaturën e Florjan Binajt.

“Troç po flas. Ne do mbështesim kandidatin jo politik ashtu siç kemi premtuar, do mbështesim Binajn, pavarësisht se nuk është kandidati që kemi propozuar, por do ta mbështesim deri në fund. Ne e mbështesim, ne jemi koherentë me çfarë kemi thënë që në ditën e parë. Duhet një kandidat jo politik, ka dalë një kandidat si Binaj që i plotëson të gjitha kushtet. Pavarësisht problemeve me PD-në, qëllimi kryesor është t’i japim Tiranës një kandidat të pakorruptuar. Emri s’ka qenë kurrë kusht nga ne.”, theksoi Shehaj.

Ai shtoi se madje do ta mbështesin “sikur të kishte qenë kandidati ynë!”

Mes të tjerash, Shehaj u shpreh se ka besim të plotë se kandidati i propozuar mund të fitojë dhe se opozita do të angazhohet për ta bërë këtë të mundur. Madje Shehaj tha se kjo kandidaturë mund të sjellë “rezultatin më të mirë në 12 vitet e fundit“.

Sipas Shehajt, përpara se të niste ky proces, kishte shpresë se PD do të pranonte idenë për një kandidat të pavarur, por në vend të kësaj, vendimet janë marrë në mënyrë të mbyllur. Megjithatë, ai shtoi se shumë shqiptarë tashmë janë të vetëdijshëm për rrezikun që sjell përqendrimi i pushtetit në duart e një njeriu të vetëm dhe kërkojnë ndryshim. Ndaj beson se Binaj ka shanse të fitojë.

More posts