Paniku në ajër! Pasagjerët hidhen nga avioni i Ryanair pas alarmit për zjarr (VIDEO)

Një alarm i rremë për zjarr në një avion të kompanisë Ryanair në Aeroportin e Palmës së Majorkës ka shkaktuar panik masiv mes pasagjerëve. Incidenti ndodhi gjatë një fluturimi me destinacion Mançesterin, duke detyruar pasagjerët të braktisin urgjentisht avionin përmes rrëshqitëseve emergjente dhe madje edhe duke u hedhur nga krahët e avionit.

Si pasojë e situatës kaotike, 18 pasagjerë pësuan lëndime të lehta, gjashtë prej të cilëve u transportuan në spitalet lokale për kujdes mjekësor, ndërsa të tjerët morën ndihmë në vendngjarje.

Pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale tregojnë momentin dramatik kur udhëtarët kërcejnë nga avioni, ndërsa zjarrfikësit dhe forcat policore mbërritën menjëherë në aeroport. Autoritetet spanjolle kanë konfirmuar se incidenti u shkaktua nga një sinjal i rremë për zjarr dhe nuk pati asnjë rrezik real për jetën e udhëtarëve.

Në një deklaratë për media, autoritetet theksuan se, ndonëse situata krijoi tension dhe panik, shumica e pasagjerëve u evakuuan në mënyrë të organizuar dhe nuk ka të lënduar rëndë.

More posts