Pamje të reja tronditëse/ Publikohen momentet kur ish-shefi i policisë dhunon kamarierin në mes të lokalit!

Një skenë tronditëse është regjistruar ditën e djeshme në qytetin e Vlorës, në zonën e njohur të Skelës, ku një kamarier i ri është dhunuar brutalisht në ambientet e punës së tij, në një hotel të frekuentuar nga vendas dhe turistë.

Sipas pamjeve të siguruara dhe dëshmive nga vendngjarja, ish-shefi i qarkullimit rrugor të Vlorës, Ardian Isufi, aktualisht në detyrë si nënkomisar dhe oficer i Policisë Kufitare në Dibër, në bashkëpunim me Leart Bimon, një person me precedent penal, kanë ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj një kamarieri të ri, për një keqkuptim banal në porosi – konkretisht një shishe ujë më tepër.

Fillimisht, Isufi ka ndërhyrë me tone kërcënuese dhe kontakt fizik, ndërsa më pas, sipas dëshmitarëve okularë, dhuna ka shpërthyer me goditje të shumta në fytyrë dhe trup nga Leart Bimo, duke lënë të riun të gjakosur dhe në gjendje të rënduar.

Ngjarja ndodhi përpara dhjetëra klientëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët të tronditur nga situata, janë larguar në panik nga lokali. Policia është vënë në lëvizje pas publikimit të videos në rrjetet sociale, dhe si pasojë, Ardian Isufi është pezulluar menjëherë nga detyra.

Ngjarja ka ngjallur reagime të ashpra në opinionin publik, ndërsa shumë qytetarë dhe figura publike po kërkojnë masa të ashpra ligjore për dhunuesit dhe zero tolerancë ndaj uniformës që abuzon me pushtetin.

More posts