Përgjatë ditëve të fundit vendi ynë u përfshi nga një valë e nxehtë ku termometri shënoi mbi 40 gradë celsius.
Përpos thirrjeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë dhe mjekëve, që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar në këto ditë të nxehta vere, edhe kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka lënë “pas dore” qytetarët e tij.
Në rrjetin e tij social në platformën “TikTok”, i cili menaxhohet nga stafi i tij, kryebashkiaku u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në vende sa më të freskëta dhe të evidentojnë daljet jashtë banesave të tyre
Ndërkohë që bëri apel për të konsumuar sa më shumë ujë dhe se në të gjithë qytetin e Tiranës, Bashkia është kujdes duke ngritur çadra me qëllim që qytetarët, por jo vetëm, madje dhe kafshët shtëpiake të gjejnë një vend të freskët.
“Hey përshëndetje të gjithëve është 40 gradë jashtë. Qëndroni të hidratuar dhe pini ujë”, dëgjohet të thotë Veliaj në videon e filmuar një vit më parë por që është ripostuar sërish në llogarinë e kryebashkiakut.
Një numër në rritje i punëtorëve të huaj po zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre për një jetë më të mirë. Midis tyre, janë edhe punonjës nga India dhe Filipinet, të cilët kanë lënë pas vendin e tyre për të kërkuar një të ardhme më të mirë në Europën Juglindore.
Top Channel i ka vizituar në vendin e punës, aty ku çdo ditë kryejnë me përkushtim detyrat që u janë besuar. Ndërkohë që ata nuk zotërojnë ende mirë gjuhën shqipe, buzëqeshja dhe mirënjohja për mundësinë që iu është dhënë flasin më shumë se fjalët.
“Vija nga India. Në vendin tim nuk e përballoja jetesën” Një nga punonjësit indian, i cili tashmë ka një vit që punon në Shqipëri, rrëfen se ndonëse u përball me vështirësi në fillim, mikpritja dhe mbështetja që gjeti nga kolegët shqiptarë e ndihmuan të përshtatet.
“Njerëzit janë shumë të mirë. Më ndihmuan të gjej punë. Gjuha ishte e vështirë në fillim, por më ndihmuan. Jam i kënaqur. Në Indi nuk më mjaftonin paratë. Këtu mund të punoj, të jetoj dhe të kursej”, – tregon ai me mirënjohje.
Një tjetër punonjës indian, tashmë prej dy vitesh në vendin tonë, thotë:
“Shqipëria është vend i mirë për të punuar. Nuk kam mësuar ende shqip, por jam përshtatur. Dua të vazhdoj të jetoj dhe punoj këtu”.
Nga Filipinet në Shqipëri, me familjen Një tjetër histori prekëse është ajo e një punonjësi filipinas, i cili ka ardhur së bashku me familjen për të ndërtuar një jetë të re në Shqipëri. Ai përpiqet të flasë në shqip, ndonëse me vështirësi, dhe rrëfen me sinqeritet se vendimi për t’u larguar nga atdheu ishte i vështirë, por i domosdoshëm për mirëqenien e familjes së tij.
“Kam ardhur me gruan dhe fëmijët. Jetojmë këtu, punojmë, dhe jemi të lumtur. Shqipëria është një vend i mirë për të nisur një jetë të re”, – thotë ai.
Përse Shqipëria? Këta punëtorë nuk kanë ardhur rastësisht. Punësimi i tyre është bërë përmes një procesi të rregullt përmes agjencive të specializuara, të cilat kontaktohen nga bizneset shqiptare që kërkojnë forcë punëtore. Agjencia përzgjedh punonjësit e përshtatshëm dhe ndërmjetëson procesin e rekrutimit. Përveç pagës, punonjësve u sigurohet akomodimi dhe shpesh edhe mbështetje për të ndihmuar në përshtatjen me realitetin e ri.
Një mundësi për Shqipërinë dhe për ta Ky fenomen është gjithnjë e më i zakonshëm në sektorë si shërbimi, ndërtimi dhe prodhimi, ku mungesa e fuqisë punëtore vendase po plotësohet nga të huaj. Ndërkohë, për shumë të rinj nga Azia, Shqipëria paraqitet si një mundësi reale për punësim, stabilitet dhe integrim europian.
Ndërsa për ta Shqipëria është një shans për jetë më të mirë, për vendin tonë, ata janë një pasuri që sjell diversitet, punë të ndershme dhe shembuj pozitivë të integrimit.
Momentin e arrestimit, çastin kur prangat të ftohin kyçet dhe polici të pëshpërit “Je nën arrest!” shkrimtari rus Aleksandër Solzhenjici e quan një “pikë thyerjeje” në jetën e një njeriu, një nga ato momente që truri e ka të vështirë ta perceptojë plotësisht, pasi i arrestuari nga njeri shndërrohet në një paketë, një objekt, një numër.
Meqënëse e ka të pamundur ta konceptojë realitetin e ri, mendimi i parë është se ky “është thjesht një keqkuptim. Një gabim. As nuk do të guxonin…” e vetmja blegërimë e mekur shkruan Solzhenjici është “Unë? Për çfarë?”.
As kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj nuk përbën një përjashtim nga impakti i parë pas arrestimit, të paktën nga ato që tregoi në hetuesi, polici Fation Baci, i cili i dha celularin për pak minuta “Lalit” në udhëtimin nga qelia e Durrësit në gjykatën e Tiranës. Dëshmia e policit zbulon se sa brutal ka qenë rrëzimi i Veliajt nga qendra e pushtetit për në birucat e Durrësit, siç e përshkruan polici Fation Baci: “Nuk i mbaj mend detajet e tjera, por di që ka bërë dhe një telefonatë tjetër me bashkëshorten e tij, ku i tha që të kujdesej për djalin dhe unë dëgjova Erionin që po qante. I thoshte që nuk është e drejtë që djali të rritet vetëm, nuk i kam bërë keq njeriu, nuk ka të mirë për të mirin”.
Përtej përjetimit personal, rasti Veliaj ka edhe një veçori të çuditshme. Në momentet kur po i përmbysej bota, kur e morën për ta futur në një birucë te “313”, atëherë kur një univers tjetër i hapi dhunshëm dyert për “Lalin”, ky i mbajti shpresat tek vetëm një njeri; Edi Rama.
Janë tre episode të atyre ditëve, kur ky naivisht Veliaj ia shtrin dorën Edi Ramës, por të trejat herët merr refuzim dhe braktisje përballë humorit të hetuesve.
Skema e deputetit: një plan B që nuk funksionoi
Nga dëshmia e detajuar që polici Fatjon Baci ka dhënë në prokurori, Erion Veliaj fliste në telefon me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa për një “Plan B” që do ta shpëtonte nga paraburgimit: të kandidonte si deputet i PS-së përmes një vendi vakant në listë, duke “sakrifikuar” një student që do të tërhiqej për arsye shëndetësore.
Të njëjtën gjë, zbulon telefonata e Veliajt, e kishin bërë edhe Tërmet Peci (kryebashkiak i Tepelenës) dhe Agron Malaj (i Matit), të cilët, sipas tij, u futën në Kuvend për të përfituar imunitet parlamentar pas hetimeve që kishte nisur SPAK për ta.
“Erioni i ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: “Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që t’i shpëtonte burgut”. Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci apo një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAKUT” ka thënë polici para prokurorëve.
Por oferta për Tërmet Peçin dhe Agron Malajn, nuk ishte e vlefshme për Erion Veliajn. Edhe pse ai u arrestua në datën 10 shkurt dhe kishte dy muaj kohë për ta shkarkuar nga bashkia e Tiranës dhe për ta futur në listat e Partisë Socialiste, “plani B” mbeti në sirtar. Rama nuk e propozoi në listat e kandidatëve dhe as e hapi fare këtë skenar për Tiranën. Dhe kjo nuk ishte hera e parë që Veliaj i kërkonte ndihmë.
Denoncimi që nuk u bë: akuzat për 2 milionë euro ryshfet
Gjatë ditëve të para në qeli dhe ndërsa ishte nën përgjim të SPAK, Veliaj tentoi të publikojë një kundërakuzë në media ku të tregohej se si ishte shantazhuar në këmbim të 2 milion eurove dhe se për këtë kishte dëshmitarë Alban Dokushin, Isuf Berberin dhe Myslim Murrizin. Veliaj i çon fjalë edhe Edi Ramës nëse mund të dalë me këtë version të ngjarjeve, por sërish anashkalohet me arrogancë.
“Në orën 11:09, Erion Veliaj bisedon me Ajolën dhe i kërkon që të bisedojë me KM dhe t’i thotë që Erioni ka këtë informacion. T’i thotë që për kokën e Erionit janë kërkuar dy milionë euro, o paguaj ose do të marrim pagesën që ka bërë dikush tjetër. I thotë që t’i shkuajë Edit, që për këtë gjë të dëgjojë Arbrin e vogël, ose Maznikun, ose Fugën, ose Meron. Erion Veliaj i thotë se nuk ka çfarë të bëjë me këtë informacion, pasi ai ishte takuar me Alban Dokushin, Isuf Berberin dhe Myslim Murrizin, dhe i kanë thënë që koka jote vlen dy milionë euro” shkruhet në dosje.
Por ky version i ngjarjeve, që do të ishte një kundërsulm i fortë ndaj prokurorëve të SPAK, bllokohet nga Rama. Përgjigjia është një JO e prerë.
“Në orën 15:24, Erion Veliaj bisedon me Arbërin, ky i fundit i thotë se ai tha jo në mënyrë kategorike, por nuk i kishte dhënë asnjë arsyetim. Erioni i thotë se bënë mirë që e pyetën, pasi ai, e di sa shkon pazari aty” thuhet në dosje.
Kuptohet se ky plan i Veliajt për t’u lëshuar në kundërsulm ndaj prokurorëve kërkonte lejen e kryeministrit, në mënyrë që “informacioni” të përdorej për të goditur SPAK-un.
Por Rama nuk e përkrah strategjinë e komunikimit dhe as e lejon Veliajn ta përdorë këtë informacion për të krijuar një skandal që do ta dëmtonte SPAK-un. As kjo nuk ishte as hera e parë që shefi politik nuk i del në krah.
Telefonata që mbeti pa përgjigje: 10 shkurt 2025
Siç ka raportuar edhe më parë Lapsi.al, ditën e arrestimit, në çastin kur u përball për herë të parë me oficerët e policisë, Veliaj ishte në zyrën e tij në bashki. Njerëzit e SPAK që ia behën në korridoret e bashkisë, pas prezantimit e komunikimit të arsyes përse ishin aty, i kërkuan Veliajt të shkonte pas tyre. Por kryebashkiaku, i habitur për atë që po i shihnin sytë dhe në një përpjekje për të fituar kohë, thirri menjëherë aty në zyrën e tij sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Tiranë, Alban Dokushin. I kërkoi sekretarit të lexonte vendimin që kishin sjellë oficerët e SPAK e teksa Dokushi lexonte dokumentin, Veliaj mori celularin dhe nisi të telefononte të vetmin njeri, që ato sekonda kur po i “shembej bota” mendonte se mund ta shpëtonte, pikërisht kryeministrin Edi Rama. Thirrjet drejt numrit të Ramës vijuan disa herë, por më kot. Nga ana tjetër e celularit nuk u përgjigj askush.
Dukshëm i tensionuar që telefonata nuk po realizohej, “Lali” nisi të dërgonte mesazhe të shkruar, përmbajtjen e të cilit e di vetëm ai dhe Rama. Leximi i dokumentave u krye ndërkohë nga drejtori i Veliajt dhe nuk kishte më çfarë të pritej. Oficerët i kërkuan kryetarit të bashkisë të shkonte pas tyre, në të kundërt do të përdornin forcën.
Të tjerat dihen. Që të dukej sikur kishte dalë për punë, Veliaj mori një dosje me vete. Rama, që ishte në Shkodër shpërndau lajmin sikur ishte nisur me urgjencë drejt Tiranës. Në ditët që erdhën, e mbrojti me fjalë kryebashkiakun, por paralelisht nisi shkrirjen e klanit “Veliaj” në PS dhe në Bashki.
E kanë me mua personale”
Nëse i shohim të treja përpjekjet e “Lalit”, 1) telefonatën e injoruar, 2) akuzën e heshtur për ryshfet dhe 3) idenë e refuzuar për t’u bërë deputet, kuptohet se përballë ngrihej një mur i ftohtë mohimi, nga njeriu që deri dje e kishte promovuar me zell.
Vetëm se kjo nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur. Braktisja kishte qënë një proces që nisi me kritikat në Asamble, me fotot e retushuara në Facebook, me emrat që e zëvëndësuan Veliajn në PS e Tiranës dhe që vazhduan pas arrestimit, me tërheqjen e protestave para SPAK, me lënien jashtë grupit parlamentar të klanit Veliaj dhe deri kur frerët e bashkisë i kaluan Belinda Ballukut.
Dikush mund të thotë se Veliaj nuk ishte aq naiv, sa të mos e kuptonte se nga i vinin thikat pas shpine, por në fund të fundit nuk kishte zgjedhje tjetër veçse t’i përgjërohej Ramës për ndihmë. Në fakt, polici Fation Baci tregoi se në furgonin e mbushur plot me policë, teksa ktheheshin për në qelitë e Durrësit, e kishte dëgjuar Erion Veliajn të shprehej në një nga telefonatat me të shoqen: “E kanë me mua personale!”.
Një ngjarje e paprecedentë dhe shqetësuese ka ndodhur së fundmi në rrjetet sociale, ku deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka përdorur një gjuhë skandaloze, fyese dhe denigruese ndaj një të riu 18-vjeçar, vetëm pse ky i fundit e kishte kritikuar në një koment publik.
Sipas mesazhit që ka mbërritur në redaksinë e “Shqipëria Sot”, i riu kishte shkruar:
“Shko pyet atë gruan me restorantin tek rruga Margarita Tutulani si e bën bukën. E di ti, aty ku vodhe votat dhe servilat patronazhistë vraponin të fshihnin provat.”
Reagimi i Braçes ishte i menjëhershëm dhe jashtë çdo norme komunikimi, ku mes të tjerash i shkroi:
“Kush ta sugjeroi, ajo kva që ke rrotull?”**
Ngjarja ka shkaktuar valë reagimesh në rrjetet sociale, me qytetarë dhe aktivistë që kërkojnë reagim zyrtar nga Partia Socialiste dhe institucionet e shtetit. Shumë e cilësojnë këtë si një sulm verbal të turpshëm dhe një abuzim me pushtetin e fjalës publike.
📢 A është ky standardi i një deputeti në vitin 2025?
Burime të pakonfirmuara flasin për një hakmarrje të egër, pas videos virale ku polici dhunonte kamarierin. Sipas dëshmitarëve, ai u përball me një shpërthim zemërimi brenda lokalit ku ndodhi incidenti.
Gjendja e tij është kritike dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në reanimacion. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbuluar identitetin e personave të përfshirë në sulmin brutal.
Vëllai i policit të përfshirë në incidentin e një dite më parë, ku u dhunua një kamerier 18-vjeçar në Vlorë, thotë se personi që e qëlloi adoleshentin nuk është vëllai i tij, Ardian Isufi, efektiv i Policisë së Shtetit.
“Ju keni parë një pjesë të kamerave. Ai gazetari t’i nxjerrë të gjitha pamjet. Unë nuk kam qenë prezent por çfarë më ka thënë vëllai: Ai ka qenë pushim. Ka shkuar te lokali për të pirë një kafe. Në tavolinë ka gjetur edhe një person tjetër që e ka ftuar në lokal. Janë ulur për të pirë një kafe dhe një ujë dhe nuk është bërë sherr për ujin, se nuk zihen njerëzit për ujin. Vëllai im i kërkon një bidon ujë të madh dhe një kafe. Të mos futemi në detaje, por ai i sjell dy bidonë dhe me të qeshur i thotë “pijeni dhe këtë”. Nuk kam qenë aty që të ta shpjegoj me detaje. Sjellja e kamerierit ka irrituar personin në krah të vëllait tim. Vëllai im, për të shmangur konfliktin është ngritur dhe i ka thënë “ik andej, se duhet të sillesh mirë, je i vogël”. Unë nuk kam qenë aty, por kamerat i ka lokali”, rrëfen Flamur Isufi në “Off the Record” me Andrea Dangllin
Ai shton se menjëherë pas incidentit, palët janë ulur dhe i kanë kërkuar madje falje babait të adoleshentit. “Personi që godet kamerierin nuk është vëllai im. Vëllai im çohet nga tavolina dhe i thotë kamerierit të jetë i kujdesshëm me klientët. As e ka sharë, as e ka goditur. Personi që është irrituar është personi tjetër. Kamerieri, në bisedë, në konflikt me zotërinë. Vëllai im u fut. Në këtë moment i thotë “Pse çfarë është
ai?”. Janë ulur në tavolinë me babanë e djalit, kanë folur, janë ndarë si miq. Edhe me menaxherin e lokalit nuk kanë pasur ndonjë problem. Se vëllai im, duke qenë 15 vjet oficer policie, e di shumë mirë se si mund t’i shmanget një konflikti”, tha Isufi.
Flamur Isufi, vëllai i policit Ardian Isufi, të përshirë në një sherr në Vlorë një ditë më parë, në një lokal, thotë se vëllai i tij është rrahur nga 15 vetë, edhe pse nuk e ka goditur ai kamerierin 18-vjeçar.
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, tha se një ish-kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, mund të arrestohet për korrupsion para se të shkelë në Parlament dhe të nisë mandatin e tij të parë si deputet, në shtator.
Prisni edhe një muaj e pak dhe do të shihni, edhe skandalet e reja të qeverisë, edhe denoncimet e reja, do të shihni edhe çështjet e reja që do të ngrejë opozita… Nuk e dimë a do të ketë kohë që të futet në Parlament në shtator, apo do të arrestohet para shtatorit?”, tha Këlliçi në një emision televiziv.
I pyetur se kush do ta arrestojë, Këlliçi u përgjigj: “Oreksi i Edi Ramës. Sa herë i është dashur, çdo dy tre muaj… Nuk të bën përshtypjen që Erion Veliaj në përgjime thotë që Agron Malaj dhe Tërmet Peçi po bëhen deputetë për t’i shpëtuar drejtësisë dhe kështu duhet të vepronte edhe ai.
Por për ata kështu kishte vendosur Rama, për Veliajn kishte vendosur që duhet të bëjë burgun edhe për shokët”.
Një zjarr masiv ka përfshirë fshatin Kalasë të Delvinës duke shkrumbuar malin në pak minuta! Pamjet dramatike të natës tregojnë një mur zjarri që i afrohet banesave, ndërsa autoritetet mungojnë totalisht!
🆘 Qytetarët alarmojnë:
“Ndihmë! Mali po digjet i gjithi, s’ka ardhur askush! Jemi të vetmuar!”
Mbyllja e hetimeve për Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa ka evidentuar fakte korrupsioni të reja të çiftit dhe familjarëve të tyre, që sipas SPAK kanë ardhur si pasojë e pozicionit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Në dosjen prej 500 faqesh që SPAK ka dërguar në gjykatë evidentohen tre raste të pastrimit të parave në investim për pasuri të paluajtshme.
Në dosje evidentohet që Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut ka porositur një objekt në godinën ‘Bookbuilding’ pranë Sahatit te Tiranës. Ky objekt leja e të cilit është firmosur nga Erion Veliaj ka ngjallur diskutime të shumta pasi Sahati Tiranës është monument kulture dhe kjo ndërtesë do ta cënonte identitetin e Tiranës por dhe të Sahatit.
Kontratat e Arbër Veliajt me kompaninë është firmosur një vit më parë, por megjithëse e ka porositur vëllai i kryetarit të Bashkisë ende nuk ka paguar asnjë këst.
Po ashtu rezulton se Arbër Veliaj ka porositur disa njësi dhe garazhde në objektin ‘Rainbow’ në zonën e Bllokut, një tjetër objekt për të cilin lejen e ka dhënë Erion Veliaj. Nëpërmjet kompanisë Gogël, ai ka porositur 451.9 metra në katin e tretë të objektit, vlera totale sipas kontratë shkon në 813.420 euro dhe do të paguhet me këste. Sipas llogarive, megjithëse në zonën me të shtrenjtë të Tiranës, Arbër Veliaj do të blejë këtë njësi me 1800 euro metri katror, një çmim shumë më i ulët se tregu.
Në dosjen hetimore del qartë që dhe apartamenti i sekuestruar nga SPAK, në kodrën e diellit mbi banesën e deklaruar të çiftit Veliaj është në pronësi të tyre. Kjo vërtetohet dhe në dëshminë e Marisa Nitos, gruas se Elman Abules e cila konfirmon që Ajola Xoxa e ka marrë këtë apartament.
Deklaruesja shprehet se nga viti 2022-2023, shtetësja Ajola Xoxa i kishte thënë se ishte ngushtë në apartamentin ku jetonte dhe kishte idenë për të marrë katin sipër saj. Sipas deklarueses, shtetësja Ajola Xoxa e ka marrë këtë apartament dhe kishte nevojë për sistemim dhe rregullim që të përshtatej për të jetuar në të dy apartamentet.
Deklaruesja i ka propozuar që apartamenti poshtë të kishte sallon dhe kuzhinë ndërsa apartamenti lart vetëm dhoma gjumi. Deklaruesja shprehet se nuk e ka parë vetë fizikisht këtë ambient por ajo di që punimet ndiqeshin nga shtetasi Olsi Efthimi.
Gjithashtu në dosjen hetimore janë zbuluar nga SPAK dhe fatura dhe biseda që Ajola Xoxa ka bërë me mobilierin që bërë mobiljet për apartamentin e ri që çifti kishte marrë.