Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot gjatë konferencës me gazetarët lidhur me deklaratën e kandidatit të pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florian Binaj, i cili tha se gjatë fushatës elektorale nuk do të dalë në krah të Berishës apo aleatëve të tjerë opozitarë.
“‘Nuk është kandidati ynë!’ – Berisha zbulon të vërtetën për Florian Binajn”

Në vend që ta kundërshtonte, Berisha e përshëndeti qëndrimin e Binajt. Ai sqaroi se Florian Binaj nuk është kandidat i propozuar nga opozita, por një kandidat i pavarur, të cilin partitë opozitare kanë vendosur ta mbështesin.
“Një kandidat i pavarur që partitë politike e shohin të përshtatshëm për ta mbështetur në interes të qytetarëve, nuk ka pse të bëjë fushatë me kryetarët e partive. Është plotësisht e drejtë që ai të dalë i vetëm,” u shpreh Berisha.
Megjithatë, kreu i PD-së theksoi se partitë opozitare do të angazhohen maksimalisht për të mobilizuar elektoratin e tyre në mbështetje të Binajt.
“Ne do të punojmë që elektorati ynë ta votojë. Nuk është kandidat partiak, por kandidat i pavarur që ne kemi vendosur ta mbështesim,” shtoi ai.