Agim Troci, shefi i Komisariatit të Policisë në Delvinë, është kthyer në simbol të guximit dhe humanizmit pas veprimit të tij heroik në përballje me flakët që rrezikuan jetën e dhjetëra banorëve.
Teksa zjarret përfshinë zonën, banorët refuzonin të evakuoheshin – mes tyre një fëmijë 10-vjeç dhe disa të moshuar. Pa menduar për jetën e tij, Troci hyri në ndërtesa të përfshira nga tymi dhe flakët, i vetëm.
“Mora një kovë të vogël me ujë dhe laga bluzën që të mos asfiksohesha. Telefonat nuk punonin më nga nxehtësia. Po mendoja vetëm për fëmijët dhe familjen time… Kam rënë pa ndjenja”, tregoi ai për Top Channel.
Troci u transportua në spital me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, por zemra i rri vetëm në një vend – në detyrë.
“Kam marrë mbi 2500 mesazhe në telefon. Por nuk kam bërë asgjë për protagonizëm. Njerëzit duhet të veprojnë me zemër – ajo nuk të lë të gabosh kurrë,” tha polici, i emocionuar, ndërsa shprehet se mezi pret të rikthehet në punë.