Një incident i rëndë ka ndodhur së fundmi në Bullgari, ku avioni i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u detyrua të bënte një ulje emergjence. Shkaku ishte çaktivizimi i sistemit GPS, dyshohet nga një sulm rus me ndërhyrje elektronike. Si pasojë, piloti u detyrua të përdorte vetëm hartat tradicionale për të orientuar avionin.
Njihuni me sistemin CDAA me të cilin Moska përgjon Europën

Lufta hibride dhe sulmet ndaj infrastrukturës ajrore
Ky episod nuk është i izoluar. Mbi 80% e fluturimeve në rajonin pranë Rusisë janë prekur nga sulme të ngjashme, që synojnë sistemet e navigimit. Përmes luftës hibride, Rusia po zgjeron ndikimin e saj, duke destabilizuar qeveritë evropiane dhe duke ulur mbështetjen për Ukrainën.
Raportet nga Bloomberg tregojnë se Finlanda, Polonia dhe Suedia kanë ngritur alarmin për ndërprerje të shpeshta të sinjaleve GPS. Veçanërisht në Lituani, numri i incidenteve është rritur me 22 herë gjatë vitit të fundit. Qendrat kryesore të këtyre ndërhyrjeve janë në Kaliningrad, ku përdoren sisteme që jo vetëm bllokojnë sinjalet, por edhe dërgojnë koordinata të rreme, duke krijuar kaos dhe pasiguri.
Ndërtimi i një instalacioni gjigant ushtarak në Kaliningrad
Një investigim i agjencisë “Tochnyi” ka zbuluar me imazhe satelitore ndërtimin e një kompleksi masiv ushtarak pranë Chernyakhovsk, vetëm 25 km larg kufirit me Poloninë. Bëhet fjalë për një sistem antenash të quajtur CDAA (Circularly Disposed Antenna Array), me një diametër prej 1.6 km. Ky instalim do të ishte një nga më të mëdhenjtë në botë dhe do të kishte një rreze veprimi deri në 7,400 km.
Ekspertët vlerësojnë se ky kompleks do të shërbejë jo vetëm për mbikëqyrjen e komunikimeve në Evropën Lindore dhe Baltik, por edhe për komunikimin me nëndetëset ruse në Oqeanin Atlantik. Ndërtimi, i nisur në vitin 2023, tregon se Kremlini po modernizon teknologjitë e Luftës së Ftohtë për të kryer operacione spiunazhi dhe ndërhyrjeje në shkallë të gjerë.