Njëri i bie postbllokut me mjet e tjetri shtyp me gomë këmbën e efektives së qarkullimit, arrestohen dy persona në Tiranë

Policia e kryeqytetit ka arrestuar dy shtetas për sjellje të rrezikshme në rrugë dhe kundërshtim ndaj punonjësve të rendit, në dy incidente të ndara të ndodhura në zonat e Komisariatit Nr. 1 dhe Nr. 2.

Në një rast të ndodhur në rrugën “Dervish Hima”, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin A. S., 20 vjeç, pasi u kap duke kryer manovra të rrezikshme me automjetin e tij. I riu injoroi urdhrin për ndalim të patrullës dhe përshpejtoi mjetin, duke përplasur automjetin e policisë dhe duke rrezikuar seriozisht jetën e efektivëve në detyrë.

Ndërkohë, në një incident tjetër, specialistët e Komisariatit Nr. 2 arrestuan shtetasin J. H., 42 vjeç, pasi kishte parkuar automjetin në mënyrë të parregullt dhe kishte penguar qarkullimin. Kur iu kërkua të zhvendoste mjetin, ai kundërshtoi ndërhyrjen e punonjësve të policisë dhe në përpjekje për t’u larguar, me gomën e automjetit i shkaktoi lëndime në këmbë një efektiveje të policisë.

Të dy ngjarjet janë referuar për ndjekje të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Policia e Tiranës thekson se çdo veprim i tillë ndaj forcave të rendit do të përballet me forcën e ligjit.

More posts