Një humbje e madhe për artin shqiptar” – Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i njohur

Naun Shundi, një jetë në shërbim të teatrit

Bota artistike shqiptare humbi sot një nga zërat e saj më të spikatur. Aktori dhe regjisori Naun Shundi u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare, pas një beteje me tumorin në lëkurë.

Shundi u diplomua fillimisht në Shkollën e Lartë të Kulturës (1977), më pas në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1983). Në vitin 1995 ai u specializua në Bukuresht për regji teatri dhe filmike, duke sjellë më pas përvojën e tij në Shqipëri.

Ai shënoi një karrierë të pasur e të shumëfishtë si aktor, regjisor, dramaturg, skenarist, producent televiziv dhe mësues, duke punuar për vite me radhë në Teatrin Kombëtar. Kontributi i tij u shtri edhe në edukimin e brezave të rinj të aktorëve dhe regjisorëve.

Pas shembjes së Teatrit Kombëtar, Shundi e ktheu shtëpinë e tij në një skenë të re – teatrin privat “Zonja e Bujtinës”, ku realizoi shfaqje intime, koncerte, lexime librash dhe ekspozita. Një nga veprat e tij të fundit, monokomedinë “Babi”, e shkroi dhe interpretoi vetë, duke sjellë një rrëfim emocional mbi familjen dhe marrëdhënien me prindërit.

Naun Shundi mbetet një figurë e pazëvendësueshme për artin shqiptar – një mbrojtës i fortë i gjuhës shqipe në skenë dhe i teatrit si art, jo si biznes.

More posts