Nga shtatori, deputete në Kuvend! Kush është tezja e Adriatik Lapajt…

Ana Dajko është deputetja e vetme që do të përfaqësojë partinë “Shqipëria Bëhet” në legjislaturën e shtatorit në Kuvendin e Shqipërisë.

60-vjeçarja është mamaja e anëtarit të kryesisë “Shqipëria Bëhet” Vasil Dajko dhe gjithashtu tezja e drejtuesit të kësaj force politike, Adriatik Lapajt.

Emri i saj u bë pjesë e listave të mbyllura të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, bashkim i Endrit Shabanit dhe Adriatik Lapajt, si pjesë e strategjisë së këtij të fundit, i cili ishte kundër formatit “lista të hapura” e “lista të mbyllura” për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 11 Maj.

Ana Dajko është e para e radhitur në listën e mbyllur të qarkut Tiranë, ndërsa Lapaj është më i votuari i listës së hapur. Të gjithë kandidatët e listave të mbyllura, menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit, kanë dorëzuar pranë KQZ dorëheqjen nga kandidimi me qëllim që mandati i fituar të kalojë në listën e hapur.

Dorëheqjet e listave të mbyllura janë cilësuar si procedura të pavlefshme nga ana e KQZ si dhe Kolegjit Zgjedhor, duke e lënë përfundimisht mandatin e fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në duart e Ana Dajkos.

More posts