Nga paralajmërimi te tragjedia: “Kam një gjyq problematik” – çasti i fundit i gjyqtarit para atentatit

“Sot kam një gjyq problematik…” – ishin fjalët e fundit të gjyqtarit Astrit Kalaja përpara se të hynte në seancën që do t’i merrte jetën.

Ngjarja tronditëse që ndodhi në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka zbuluar një sërë dështimesh të rënda në zinxhirin e sigurisë shtetërore.

Detektorët e metaleve jashtë funksionit, rojet që nuk kontrolluan autorin dhe mungesa totale e protokolleve mbrojtëse — janë pjesë e një tabloje alarmante që ka shokuar opinionin publik.

Psikologia Valbona Treska ka zbuluar në emisionin “Opinion” se gjyqtari i ndjerë kishte ndjerë tension të fortë për çështjen që po shqyrtonte:

“Ai u tha të afërmve të tij: ‘Sot kam një gjyq problematik.’”

Gazetarja Klodiana Lala shtoi se një seancë më parë, Kalaja kishte pasur një debat të ashpër verbal me palët, duke e përshkruar seancën si “të tensionuar dhe të mbushur me akuza reciproke”.

Pas tragjedisë, policia arrestoi oficerin e sigurisë së Gjykatës, pasi autori Elvis Shkëmbi hyri në sallë me një armë “Beretta”, pa u kontrolluar nga asnjë filtër sigurie.

Burime nga hetimi zbulojnë se detektorët metalikë nuk funksiononin prej kohësh, ndërsa Kancelarja e Gjykatës, Letida Balili, dhe kryetarja Iliba Bezati akuzohen për neglizhencë në zbatimin e protokolleve të sigurisë.

Në lojë hyn edhe kompania shtetërore e sigurisë “Illyrian Guard Sh.A”, që është nën varësi të Ministrisë së Brendshme dhe paguhet për ruajtjen fizike të gjykatave.

SPAK ka marrë në dorë dosjen e plotë të ngjarjes, duke hetuar jo vetëm autorin e krimit, por edhe zinxhirin e institucioneve që mund ta kishin parandaluar tragjedinë.

More posts